Ka përfunduar ndërhyrja e parë e plotë restauruese, pas 38 vjetësh lënë në harresë, në Kishën mbi 500-vjeçare “Fjetja e Shën Mërisë” në Kosinë të Përmetit. Restaurimi i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, e dyta për nga vjetërsia në Ballkan, që nga viti ’80 haset me të parin projekt restaurues, i cili aplikohet në këtë kishë byzantine me zanafillë që nga shek. XII.
Punimet restauruese, u kryen sipas projektit të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me bërthamën e projektimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me një vlerë investimi prej 5 milionë lekë të reja. Kisha e Kosinës u vendos në qendër të vëmendjes në vitin 2011 për shkak të zhvarrosjes së 69 eshtrave shekullore me pretendimin e përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse se bëhej fjalë për ushtarë. Pas lajmit për restaurimin, kryeministri Edi Rama përmes rrjetit social “Facebook”, ka ndarë me miqtë pamje nga Kisha e restauruar, e cila ndodhet në Kosinë, një prej 100 fshatrave dhe pjesë e Programit Rrugët e Besimit.
Mirëmëngjes dhe me këto pamje të Kishës 500- vjeçare të Fjetjes së Shën Mërisë në Kosinë të Përmetit, një prej 100 fshatrave dhe pjesë e Programit Rrugët e Besimit, ku ka përfunduar ndërhyrja e parë dhe e plotë restauruese pas 38 vjetësh lënie në harresë, ju uroj gëzuar Ditën e Shën Mërisë.
Edi Rama
Ndërhyrja e fundit në këtë kishë mbi 500-vjeçare, monument kulture e kategorisë së parë, daton në vitet ’80, por specialistët e restaurimit kanë deklaruar se teknikat e përdorura nuk kanë qenë ato të duhurat. Kisha e Kosinës është e njohur, jo vetëm si një objekt monument kulture me vlera të rralla kulturore dhe arkitektonike. Ajo u vendos në qendër të vëmendjes në vitin 2011 për shkak të zhvarrosjes së 69 eshtrave shekullore me pretendimin e përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse se bëhej fjalë për ushtarë grekë.
Mosha e “Fjetja e Shën Mërisë” është saktësisht 558 vjeçare, sipas arkeologe çekë të cilët e kanë vlerësuar si “Ndërtim të Vitit 1460”. Kjo kishë për vlerat e saj unikale është shpallur Monument Kulture I Mbrojtur nga Shteti që në vitin 1960. Kisha edhe pse është e stilit bizantin, ruan disa mistere të zanafillës ndërtimore të saj, sepse në pjesën e qemerëve në anën veriperëndimore, ka disa mbishkrime të panjohura.
Falë këtij restaurimi tashmë janë rikthyer elementët e autencitetit dhe janë konsoliduar pikturave murale. Kisha tashmë është rikthyer si një dokument historik, ku priten studime të reja nga specialistët e arkeologjisë dhe historianët.