Në Frashër të Kalabrisë, ose Frashineto, një nga fshatrat e jetëzuar nga shqiptarët e emigracionit post Skënderbe, lindi në 1823 Vinçenco Dorsa. Ai ishte bir i një familje të rëndësishme shqiptare, i ati i tij Francesko, patriot e Avokat i njohur i zonës, dhe nëna e tij mbesa e shqiptarit të madh Domeniko Belushi ishin ndër elementët bazë që mbrujtën shpirtin studioz, vetimtar, modest por stoik të Vinçenco Dorsës. Dorsa i takon një epoke dhe një brezi të tërë mendimtarësh, studiozësh dhe “bujqish të mendimit elitar kombëtar shqiptar”.
Ishte Dorsa ndër të parët që në veprën e tij të vitit 1847 “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime” edhe pse vetëm 24 vjeç strukturoi me elegancë, jo vetëm historinë e Kombit shqiptar, por në çdo kapitull të veprës së tij ai ngre vlerat dhe shpirtin e kombit të tij dhe këtë e bën me një qëllim të qartë, të rilind shpresën dhe reagimin. Ai shprehet vetë, kush ishte arsyeja kryesore që e shtyu të ndërtojë këtë vepër monumentale ndaj Kombit :
“ngjan sikur klithma e kohrave kërkon më në fund të shprehë të drejtat e këtij populli në histori, dhe që vetë ata duan një herë të vetme të dalin nga rrëmuja e kujtesës dhe të shfaqen në shkëlqim të plotë, duke qënë se për ta është e veshtirë, mbas përpjekjeve të ndriçuara dhe veprave madhështore, dhe mbas dritëzës së historisë që po kthjellohet me kohën që kalon, të qëndrosh i heshtur në reputacionin që ju shkon brezave të largët që vijnë më pas, ky është thelbi që më shtrëngoi të risjellë antikitetin e shquar, duke e analizuar në pjesët e saj më të çmuara”
Por përpara se të ndalem tek 20 kapituj të kësaj vepre të rëndësishme për shqiptarët, unë dua të njoh bashkëkohësit e mi, me figurën e Dorsës, ose siç arbëreshët dhe italianët e epokës së tij e thërisnin Profesor Dorsa. Shkollimi i Vinçenco Dorsës ka qenë dhe një nga shtytëset më të fuqishme të rrugëtimit të tij kombëtar të mëvonshëm, ai studioi në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në Kalabri. Ky Kolegj ka qenë ndër më të zëshmit për epokën e tij, ai u shndrrua sidomos nën drejtimin e Domeniko Belushit në djep të iluminizmit, reformimit dhe përhapjes së kulturës moderne napoletane që në atë periudhë ishte pararendëse e rilindjes italiane të bashkimit kombëtar Italian. Sipas, edhe dëshmive të një prej nxënësve të saj të asaj epoke, Jeronim De Radës, në atë Kolegj studiohej si rrallë në një kolegj tjetër, Foskolo, Alfieri, Zonja Stael, Bajroni e shumë shkrimtarë të shquar. Ky Kolegj dhe studentët e formuar aty u shndrruan në elitën e parë kombëtare të Italisë së Garibaldit që do afronte. “Aty u formuan te rinj të zgjuar nga ndjenjat e lirisë, me një ndjenjë adhurimi për revolucionin francez”shpreheshin shumë autorë të asaj periudhe.
Ashtu si shqiptarët në Greqinë e 1830-s edhe shqiptarët në Italinë 1800-1900 luajtën një rol thelbësor dhe vendimtar në fatet e kombit italian. Shqiptarët e Italisë ishin në shumicë të cilësuar në krah të progresit dhe ndryshimit të fateve të kombit italian. Ishte pikërisht Vincenzo Dorsa, një ndër gazetarët e spikatur të Gazetës “Kalabrezi” që me kurajo shkruante “që pushtetarët e vjetër, thërrasin gjoja për kujdes dhe vetëshpallen të moderuar, por ndërkohë zgjidhja kalon vetëm nëpërmjet shembjes së absolutizmit dhe të gjithë ekuilibrave të vjetër”
Babai i Dorsës u burgos në Napoli pikërisht për kontributin e tij atdhetar, vëllai i Dorsës, Akili po ashtu, ndërkohë që Dorsa u shpall në kërkim dhe u detyrua të largohej nga Frashineto. Por ashtu si Dorsa ishin të gjithë bashkë, profesorë, student, priftërinj, fshatarë dhe zejtarë të zonave të banuara nga shqiptarët e Italisë së Jugut, kundër despotizmit të borbonëve dhe pro revolucionit garibaldian që po afronte.
Përpara shkrimit dhe botimit të veprës së tij simbol “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”, Dorsa kish botuar disa vepra dhe analiza që lanë gjurmë dhe ndikuan në njohjen e gjërë të këtij personaliteti, disa prej tyre janë :
“Fatalizmi i Filozofisë së Shekullit ”, 1845; “Shkenca e kompozimit përpara Lorenco Zakaros”, 1845; “Mbi poezinë shqipe”, 1844; “Mbi gjuhën shqipe”, 1844; “Dante dhe Vico në shekullin e XIX”, 1844; “Dasma shqiptare”, 1844; “Letra romane”, 1845; “Tradita greko-latine në zakone dhe besimin popullor të Kalabrisë”; “Mbi gjenezën dhe përparimin e së Drejtës Romake të Cezare Marinit” 1846; “Ndjenja dhe arsyeja në ndikimin e tyre mbi veprimet njerëzore” 1847; “Studime etimologjike të gjuhës shqipe vendosur përballë me atë latinen dhe greke 1862”; “Ungjilli i Shënjtit Mateo”, përkthyer nga greqishtja në dialektin kalabrezo-shqiptar të Frashinetos (redaktuar nga miku i tij Kamarda, shtypur në Londër 1869); “Lavdërimi i Antonio Serrës, shkrimtari i parë i Ekonomisë politike”, Kozenca 1870; dhe shumë vepra të tjera.
Xhiuzepe Karlo Siçiliano shprehet për Dorsën “Aktiviteti i tij editorial ishte i qëndrueshëm dhe përherë brilant, duke u shkëputur nga “kultura zyrtare”. Ai ishte një shpirt i shqetësuar dhe i dashuruar mbas të vërtetës, ai hyri në fërkim të hapur me autoritetet politike dhe administrative të krahinës”
Erudicioni, përkushtimi, dhe modestia e kanë vendosur Vincenco Dorsën në piedestalin e një ndër albanologëve, folkloristëve dhe filologëve më të shquar në epokën e tij, por pak ose aspak të njohur ndër shqiptarët e shekullit të XXI. Mbas vitit 1860 Dorsa u emërua Profesor i letërsisë latine dhe greke në Liceun e Kozencës, ku punoi deri ditën që mbylli sytë në 1885.
Pavarësisht punëve të tij kolosale në lëmin e historisë, filozofisë, letërsisë, folklorit, zakoneve etj, Vincenco Dorsa kujtohet dhe i referohen gati përherë për vepren e tij “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime “ .
I referohen pasi Vincenco Dorsa, ishte i pari studioz shqiptar që zhvilloi tezën pellazgjike të origjinës shqiptare, me qëllim të “publikimit të të drejtave të një kombi të madh, por të panjohur”. Në ndërtimin e argumenteve të tij Dorsa, është bazuar në shumë shkrime historike, që nga Erodoti, Aristoteli, Kassio, Pukvile, Xhioberti, Dufrensë, Klueri, Klavier, Balbo, Neibur, Byron, Hobhouse, Gibbon, Malte-Brun etj etj.
Dorsa kërkon me ngulm që bota të njoh historinë dhe shpirtin luftarak të shqiptarve dhe artin e luftës që u shfaq në të gjitha figurat historike si Pirro, Filipi, Aleksandri i madh, Skënderbeu deri dhe tek Ali pashë Tepelena dhe Marko Boçari.
Personalisht unë, e magjepsur nga madhështia dhe heshtja e figurës së Dorsës, në Janar 2017 ndërmora një udhëtim në Kalabri, konkretisht në Frashineto, atje ku ka jetuar dhe ku prehet Vincenzo Dorsa. Në qendër të Frashinetos në oborrin e Kishës Bizantine ish vendosur busti i Skënderbeut, çdo rrugicë fliste shqip, edhe Udha e Malit, edhe Udha Vinçenco Dorsa. Koha kish ngrirë në ato anë, kish ngrirë në epokën më të shquar për shqiptarët, në epokën e Skënderbeut, mbreslënës ishte dhe muzeumi veshjeve shqiptare të Kalabrisë, mbreslënëse ishte dhe Bibloteka e Priftit të shquar Antonio Belushi, ndërkohë shpirtin tim e trazoi historia e biblotekës gjigande të Vincenco Dorsës, e cila përgjatë një dimri të egër dhe mjeran, kish bërë që gratë vdektare të Frashinetos ta digjnin për t’u ngrohur.
Udhëtimi im fizik në botën e Dorsës u mbyll atje ku prehej thjeshtësisht Ai, për tu hapur udhëtimi im intelektual dhe shpirtëror në botën e tij. Prej një viti jam duke punuar për përkthimin e veprës së tij të shquar “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime “ dhe tani që jam drejt fundit të punës time mbi këtë vepër, unë me kënaqësi do të doja të ndaja për herë të parë me bashkëkohësit e mi disa pasazhe kuptimplotë të veprës së tij, ku ai flet për të kaluarën e ndritur, pozicionin gjeografik, zakonet, gjuhën, dallimin e kombit shqiptar nga ai grek, Skënderbeun, personalitetet dhe familjet e shquara shqiptare në Itali, feja e shqiptarve, roli i shqiptarve në rilindjen e Greqisë, letërsia dhe poezia shqipe, zakonet, dasmat, magjitë, funeralet e shqiptarve.
“Kombi shqiptar nuk ka patur shkrimtarë, duke u ushtruar në mënyrë eskluzive nën armë, nuk gjeti mundësinë të kultivoj gërmat, kështu asnjë bashkëkombas për aq sa di unë, nuk është marrë më përshkrimin e plotë që do të duhej për një histori të plotë.
Punimet e Rodotës, e Mashit, e Skiros, e Krispit nuk kanë të bëjnë vecse me disa pjesë, dhe të dhënat që ofrojnë të huajt si Bajroni, Hobouse, Malte-Bryn, Pukvili ndoshta janë të pamjaftueshme. Ndaj unë mora mundimin të përballoj mangësitë e këtyre shkrimtarve të shquar, dhe e vetmja meritë që unë pres nga publiku është që ti kem ngritur një monument kombit tim, duke mbledhur në një, atë që ata kanë mbjellë në veprat e tyre të cmuara, duke i shtuar aq sa munda të hetoj në kujtesat e huaja, ndërmjet zakoneve të gjalla dhe traditën kombëtare.
“Për të diskutuar mirë dhe qartë faktet mbi një komb, është pjesë e të tërë veprës qilizma e pozicionit gjeografik të tokës së tij, dhe klima nën të cilin jeton. Si njëra dhe tjetra në një farë mënyre janë ndikues në shpirtin e popullit dhe ngjarjet që e shoqërojnë, gati si ndikimet e hënës në baticën dhe zbaticën e detit.”
Malazezët i përkasin familjes slave, dhe atë gjuhë flasin pikërisht, por në atë krahinë ekzistojnë dhe pesë fshatra me origjinë greke dhe pesë të tjerë me shqiptarë katolikë, që bashkë arrijnë rreth 20.000 ku të dy palët ruajnë pavarsinë.. Në Shqipërinë e mesme shikohet Durrësi, Dyrrahu i lashtë, i bërë i njohur nga internimi i Ciceronit dhe strehimin që i dhanë Pompeut kur la Brindizin i arratisur prej Cezarit
Dukati, krye qender e fiseve të shumta shqiptare të lebërve, të cilët një pjesë janë të krishterë dhe një pjesë kultivues të islamizmit. Këtu kanë qëndrën e tyre toskët. Mbasi kalojmë këtë pjesë të vëndit takohen malet e mjegullta të Himarës, që ndryshe quhen malet e Vetëtimës, sepse thërrasin vetëtimat. Në atë vend Plinio pozicionoi Himerët, edhe sot është qyteti i Himerës ose Himarë.
Anna Comneno ishte e para që e quajti Albina, Albanos (1) Dufrensë thotë që kishte lexuar në një poemë me shkrim dore mbi marrjen e, Kostandinopolit për atë vënd të quajtur Arbanitia (2). Megjithatë sipas Mal de-Brun, mund të nxirret edhe nga të dhënat ilirike-sllavo-arvanite, që do të thotë luftë, përleshje, sikur do të donte të thërriste ata popuj luftarak, sepse në fakt albaneset (shqiptaret) ishin të dalluar përherë në vlera dhe në armë. Turqit ju thonë Arnautë, ndërsa ata ndërmjet tyre thirren Skipëtarë. Ky emër i dytë na con tek fjala ,që Esichio shpjegon si përdorues të shpatës, ose tamam vetëtimë, si banorë të atdheut të vetëtimave
Erodoti dhe autorë të tjerë dallojnë pozitivisht Epiriotët nga Grekët
Kemi nga Malte-Brun “ai është i bindur se elementi i tretë i panjohur i gjuhës shqipe nuk mund të jetë tjetër veçse gjuha ilire e lashtë” (3). Dhe kemi ndërmjet të tjerëve, Leibnitz, autorin e parë të filologjisë krahasuese, i cili në letrën XV për M.Maturin Veyssiere la Croze, thotë- “Ju më keni kënaqur shumë duke më dërguar një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, nga e cila kuptojmë kush ishte gjuha e Ilirve të lashtë”
Paraqita autoritetet e shkrimtarve të tillë, pasi njihet sa vlejnë Leibnitz dhe një Malte-Brun në doktrinat filologjike dhe etnografike dhe sa kërkime kanë bërë ata për gjuhën shqipe. Për vec kësaj atëherë kur gjenitë klasikë i paraqesin publikut pikëpamjet e tyre, duhet të mendojmë që ata kanë ecur mbi gjurmët e fakteve të shtjelluara arsyetueshëm dhe mbi konkluzione të ndritshme. Ata nuk lëshohen nëpër Aventura ku mbretëron errësira. Dëshirojnë të shohin qartë, dhe kur nuk mundin, heshtin, ose rrëfejnë me ndershmëri dyshimin. Eshtë e sigurtë që gjuha e grekëve të parë të Homerit, ajo që na jep Esikio, ndryshon shumë nga ajo e grekëve të mëvonshëm..
Erodoti thotë, që shumë emra të hyjnive greke ishin emra pellazgë.
Nëse ne pastaj në gjuhën e Epirit dhe Maqedonisë, e cila është pikërisht shqipja moderne, do të gjejmë të bazuar dhe shpjeguar gjykimin e Erodotit, do të na rezultojë e qartë dhe e sigurtë, që “ gjuha e shqiptarve është ajo barbare, e folur në Greqi para Omerit, ku ajo është një mbetje e asaj të Pelazgëve
Grekët i thonin Jea, Perëndeshës së botës, dhe Shqiptarët kanë jet, botë. Thonin Ere (άνεμος) Junona Perëndesha e ajrit, që në shqip er është emri i ajrit dhe erës. Thonin Teti (θάλασσα) Perëndesha e detit, dhe pranë Epiriotëve det tingëllon per detin. Për më tepër Dea ishte emri helenik i Çereres që kryesonte në fshat dhe tokë, në shqip dé (dhé)
tingëllon toka. Athina (Αθήνα) ishte emri i Minervës simbol i Logos del Verbum, që në gjuhëne Epirit e-thënë do të thotë “e thëna”, fjala. Saturni tek Pellazgët e e Samotrakës thirrej Cabiri: Saturni gëlltiste të bijët, dhe kjo anë e prallës rezulton me shikim të parë në rast se thërrasim në ndihmë dy thirrje shqiptare, cha, ha (në shqip) e biri (femija shqip), domethënë që ha fëmijët. Jupiteri ushqehej nga dhia, dhe vetë ai adhurohej nën formën e dashit. Dios i grekëve është ndërkohë Dius Deus Divus i Latinëve që ka burimin në fjalën epiriote dii, dhi. Delio pseudonimi i Apolonit dhe Delos ishull i këtij Zoti si Ephes’os (ɛfəsəs) Vullkan, në shqip dieli do të thotë diell dhe i i-desti (ndezur b.gj) objekt i ndezur : nga kjo ka prejardhjen dhe Vesta e Latinëve, e-desta e ndezur. Afërdita, Venera, Atllasi, hyjni shumë të lashta, Krono i talentuar në artin e mjekësisë, Nemesi Perëndesha e hakmarrjes, Erebus Zoti i territ, Kaosi rrëmuja e lëndëve të ngatërruara, janë të gjithë emra që jetojnë të paprekur tek shqiptarët. Në fakt, Afërdita, është e përbërë nga dy zëra afr afër dhe dit ditë, e afërt me ditën, ylli që lajmëron mëngjesin..
Vinçenco Dorsa gjithashtu ka qënë edhe një poliglot që zotërontë të paktën 5 gjuhë, fakt që vërtetohej jo vetëm nga Bibloteka e tij madhështore në shumë gjuhë, si frëngjisht, latinisht, gjermanisht, anglisht, greqisht etj por edhe nga studimimi, referimi, dhe njohja e thellë e personaliteteve të historisë, letërsisë, gjeografisë, filozofisë që ai citon dhe I referohet përgjatë të gjithë veprave të tij.
Do të doja ta mbyllja këtë shkrim të parë për figurën e Vincenco Dorsës, pararendësin e “Shqipëria çfarë ka qenë, ç’është dhe ç’farë do të bëhet” me fjalët e vetë Dorsës.. Eshtë zakoni im të qënit i shkurtër në gjërat e gjata dhe akoma më i shkurtër në të shkurtrat. Mua më pëlqen të tregoj dhe jo diskutoj, dhe në pikat e duhura për të diskutuar, të udhëheqë në mënyrë të thjeshtë arsyen dhe jo të zgjas në pafundësi shtrirjen dhe zhvillimin e tyre..
Brizida Gjikondi
Qershor 2018