Pas goditjes ekonomike për shkak të masave shtrënguese gjatë pandemisë së koronavirusit, për herë të parë pas 5 muajsh tregu i punës ka rezultuar me rritje të të punësuarve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në 10 ditët e para të muajit Gusht tregu i punës rezulton me 3 mijë të punësuar të rinj që prej marsit, kur nisi dhe mbyllja e bizneseve.
Në fund të prillit u shënua rritja më e madhe e papunësisë, ku 43 mijë individë dolën nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Kjo shifër nisi të përmirësohej me lirimin e masave dhe rihapjen e aktivitetit ekonomik.
43 mijë individët e dalë të papunë kanë hyrë në tregun e punës, ndërsa janë shtuar edhe 3 mijë persona të rinj.
Të dhënat tregojnë se papunësia në Shqipëri është reduktuar në nivelin më të ulët prej 11.2% në fund të 2019-s, por pësoi një rritje me 0.2% në tremujorin e parë të këtij viti, ku vetëm me efektin e 10 ditëve të muajit Mars, listës së të papunëve iu shtuan zyrtarisht 2.252 individë.