Vaksinimi masiv i popullatës shikohet si një mundësi për të pasur një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. Por edhe në këtë drejtim ekspertët kanë rezerva. Sipas tyre vaksinimi duhet të shoqërohet edhe me masa të tjera lehtësuese fiskale si për sipërmarrjen ashtu edhe për qytetarët.
“Më shumë sesa vaksinimi unë shpresoj tek imuniteti i turmës në fakt, që do të ketë një efekt shumë më të shpejtë në raport me popullatën. Megjithatë ekonomia siç e dimë, dhe sikur pandemia të mbyllet në dy muajit e ardhshëm, sërish plaga që i është shkaktuar ekonomisë do të jetë afatgjatë, të paktën deri vitin e ardhshëm”, thotë eksperti për ekonominë Majlind Lazimi.
“Nuk presim të paktën deri në 6 mujorin e parë të këtij viti ndonjë rritje të shpejtë të ekonomisë, shpresat janë pas nisjes së turizmit. Por nuk duhet të presim ndonjë rritje të shpejtë 5-5.5% pasi kushtet nuk e bëjnë të mundur. Të gjithë po presim dritë në tunel për vaksinë, ekspertët mund të stabilizojë situatën. Por edhe nëse vjen vaksina nuk do të thotë se ne u kthyem në normalitet pasi ekonomia është një ingranazh që duhet të aktivizohen të gjitha pjesët e saj dhe ajo të vihet në lëvizje”, pohon eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj.
Edhe fluturimet që mund t’i jepnin shpresë për mbijetesë turizmit, shihen të largëta.
“Përsëri lëvizja nga një vend në një vend tjetër pa marrë fund dhe pa u shtrirë vaksinimi në të gjithë botën është e vështirë të flasim për normalitet apo krahasim të shifrave me 2019. 2023 mund të jetë viti më afër një normaliteti të vitit 2019. Situata është e njëjtë me situatën 12-13 mars të 2020 kur u vendos karantina dhe u bllokua çdo gjë”, pohon operatori turistik Besnik Vathi.
Për ekspertët rimëkëmbja mund të vijë gradualisht në tre vitet e ardhshme.
“Unë mendoj se duhen minimalisht 3 vite kohë që të kthehemi tek 2018, pasi në 2019 u goditëm nga tërmeti. Për të pasur rritje mbi 5% duhet të presim minimumi tre vite, nëse ecim me këtë ritëm si tani. Gjatë këtyre viteve do kemi këtë rimëkëmbje vetëm nëse politikat makroekonomike, do orientohen tek pikat e dobëta dhe që rrisin konsumin. Duhet që kompanive në vend tu garantohet një treg i brendshëm”, sqaron Danaj.
“Duhet patjetër një paketë e tretë, unë më shumë do ta quaja si një fond shpëtimi. Mbështetja duhet të jetë shumë kapitale porsa i përket sektorit të turizmit, të shërbimeve, të tekstileve pra fasoneria. Unë besoj që rikuperimi dhe shpejtësia e rikuperimit do të varet më shumë nga paratë që do të injektoj qeveria”, pohon eksperti Lazimi.
Viti zgjedhor nuk i zbut vështirësitë ekonomike, thonë ekspertët të cilët bashkohen në një zë kur thonë se muajt e parë të secilës parti që do marrë qeverisjen nuk do lehtësojnë investimet e kompanive të goditura nga pandemia, pasi do të duhet kohë të zbatohen premtimet e mëdha për ulje taksash.