Rimëkëmbja do varet nga largimi i COVID-19, Sejko: Në periudhën Prill-Qershor piku i rënies ekonomike

5 Gusht 2020, 17:26| Përditesimi: 5 Gusht 2020, 18:08

  • Share

Tre mujori i dytë i vitit ka shënuar pikun e ngadalësimit të ekonomisë në vend, por duket se kështu do të vazhdojë deri në fund të vitit. Është vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë që ka njoftuar uljen e konsumit dhe investimeve nëse situata nuk njeh përmirësim.

 “Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021.Rënia e kërkesës dhe e shitjeve ka sjell shumë vështirësi financiare për shumë familje dhe biznese shqiptare. Këto vështirësi do të ulin konsumin dhe investimet private”,thotë Sejko.

Sipas tij rimëkëmbja e ekonomisë do të varet tërësisht nga zgjatja në kohë e pandemisë.

“Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020”, u shpreh Guvernatori.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e saj historik 0.5%, dhe të mos ndryshojë as interesat e kredisë dhe depozitave 1 ditore. Përpos këtij vendimi,  vlerësohet se rikthimi i masave shtrënguese si pasojë e pandemisë do të kërkonte një ndërhyrje tjerët në politikën monetare.

 “Në veçanti rreziqet e kahut të poshtëm burojnë nga zgjatja në kohë e efekteve të pandemisë, ri-prezantimi i masave të distancimit social për të bërë të mundur kontrollin e saj, lindja e problemeve në transmetimin e ndryshimeve në politikën monetare në rritjen e normave të interesit dhe kostove të financimit në sektorët privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare. Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkojë lehtësim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare të bankës së Shqipërisë”, tha Sejko.

Pavarësisht situatës së vështirë guvernatori pohoi se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, pasi kredia në muajin qershor është rritur me 7%, e ndikuar edhe nga garancitë sovrane në dispozicion.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?