Rinas- Goditet një rast i kontrabandës së sasive të mëdha të barnave, që kryesisht përdoreshin edhe për përgatitjen e lëndëve narkotike apo përzierjen e tyre para shitjes në doza.
Pesë persona janë arrestuar, të gjithë shtetas nga Kosova dhe u sekuestruan prova materiale me rëndësi hetimore. U sekuestruan 300 mijë euro cash, mbi 1 mln tableta ilaçesh. Barnat ishin blerë në Jordani dhe do kaloheshin nga Rinasi me destinacion final Kosovën, në 14 çanta.
Policia bëri me dije se të prangosurit në operacionin e koduar “Transit” janë:
Bekim Zenuni, Ferhat Zenuni, Ardian Ismaili, Andi Grabanica dhe Altin Maqastena. Eurot iu gjetën të arrestuarit Bekim Zenuni.
“Sekuestrohen 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 000 euro cash të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë”, sqaroi policia.
Pas informacioneve se 5 personat do paraqiteshin me bagazhe me mallra kontrabandë, menjëherë është ndërhyrë nga oficerët e policisë kufitare dhe doganierët.
“Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), me barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike”, bën me dije policia.
Në operacion morën pjesë Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë Tiranë.
Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.