Tiranë- Policia e Rinasit ka goditur një tjetër rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit, me dokumente të falsifikuara.
Në pranga ka rënë një shtetas gjeorgjian, ndërsa u sekuestrua edhe pasaporta e rreme.
Zbulimi u bë fal informacioneve që uniformat blu shkëmbyen edhe me partnerët britanikë, se “një shtetas gjeorgjian dyshohet se do të përdorte një pasaportë të falsifikuar për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar”.
I ndaluari është G. Z., 41 vjeç, lindur dhe banues në Gjeorgji.
“Ai fillimisht ka paraqitur në sportelin e Policisë, për të dalë në mënyrë të rregullt nga Republika e Shqipërisë, pasaportë gjeorgjiane dhe një kartë imbarkimi për fluturim drejt Budapestit. Shërbimet e Policisë e kanë mbajtur në monitorim dhe e kanë konstatuar te porta tjetër dalëse, gati për imbarkim në linjën me itinerar “Tiranë-Mançester”, njoftoi sot Policia e Tiranës.
Në vijim të veprimeve, është bërë shoqërimi i tij në vijën e dytë, ku gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të bagazheve iu gjet një pasaportë greke me të dhëna të një shtetasi grek dhe një boarding-pass më të njëjtat të dhëna.
“Nga ekzaminimet paraprake në laboraror, dyshohet se pasaporta është e falsifikuar”, sqaroi policia.
Ndaj tij nisën hetimet për veprën penale “falsifikimi i pasaportave, letërnjoftime dhe vizave” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Komente
