Anëtari i PL-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe bashkisë lidhur me procesin e rindërtimit pas tërmetit të nëtorit 2019, duke e cilësuar situatën në Kombinat si një "gjendje emergjente të krijuar nga mashtrimi, jo nga natyra".
Në një deklaratë për mediat, Distafa denoncoi mungesën e transparencës dhe akuzoi institucionet për ndarje të padrejtë dhe klienteliste të banesave të ndërtuara në zonë. Ai kërkoi publikimin e listës së përfituesve të banesave, sqarimin e kritereve të ndjekura dhe strehim urgjent për familjet që ende janë pa shtëpi.
“Qindra familje janë të braktisura dhe të harruara. Pyetja është: kujt iu dhanë shtëpitë e reja dhe pse nuk ka një listë publike?”, u shpreh Distafa, duke rikujtuar premtimet e kryeministrit Edi Rama për strehim dhe rindërtim transparent brenda vitit 2021.
Ai theksoi se Partia e Lirisë në Këshillin Bashkiak do të vijojë të kërkojë llogari dhe drejtësi për banorët e Kombinatit, të cilët, sipas tij, janë përjashtuar padrejtësisht nga procesi i rindërtimit.
Deklarata e plotë:
Sot janë bërë më shumë se 5 vite nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit 2019, dhe Kombinati, një nga zonat më të prekura, është ende në gjendje emergjente. Por jo për shkak të natyrës, për shkak të mashtrimit të planifikuar nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Qindra familje janë ende pa strehë, të përjashtuar, të braktisur dhe të harruar përballë dramës së tyre. Pyetja që kemi ne dhe banorët është se kujt i janë dhënë banesat e ndërtuara në Kombinat? Kush i përfitoi? Me çfarë kriteresh? Pse nuk ka një listë publike? Çfarë fshihet pas këtyre apartamenteve “të reja”? Pyetje që askush nuk ju jep një përgjigje. Po çfarë premtoi Edi Rama në atë kohë?
1. “Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa strehë.”
2. “Shtëpitë do të ndërtohen aty ku ishin, për ata që i kishin.”
3. “Procesi i rindërtimit do të jetë transparent, i shpejtë dhe pa korrupsion.”
4. “Në 2021 çdo familje do të ketë çelësin e shtëpisë së re.”
Sot jemi në vitin 2025 dhe realiteti është ndryshe. Kemi qytetarë të pastrehë. Shtëpitë nuk u kthyen te pronarët. Procesi është i errët, i vonuar, dhe klientelist. Transparenca zero. Ky është mashtrim publik, i qëllimshëm. Qeveria nuk ka rindërtuar me drejtësi. Ka ndërtuar me qëllim përjashtimin. Bashkia nuk ka ndarë banesa sipas nevojës. I ka dhënë sipas bindjes dhe lidhjeve politike. Ata nuk e ringritën Kombinatin, por e kanë plaçkitur atë! Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojmë urgjentisht:
1. Publikimin e listës së plotë të përfituesve të banesave në Kombinat.
2. Transparencë mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura.
3.Strehim të menjëhershëm për çdo familje që është ende pa çati.
Ne nuk harrojmë! Premtimet ishin publike dhe mosmbajtja e tyre është turp publik dhe përgjegjësi penale. Ne jemi zëri i atyre që nuk kanë më zë. Do të kërkojmë llogari, derisa çdo banor i Kombinatit dhe të gjithë ata banorë që akoma nuk kanë banesat e premtuara, të marrin atë që i takon me të drejtë. Qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por përgjegjësi dhe drejtësi.
Komente
