Konviktet e studentëve të Universitetit të Mjekësisë do të jenë gati në vitin e ri akademik, me kushte më të mira dhe të njëjtën cilësi si godinat rezidenciale studentore të Inxhinierisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputeti i PS, Ervin Bushati, viztuan kantierin e dy godinave studentore të vendosura fare pranë Universitetit dhe Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, të cilat do të jenë dyfish më të mëdha se godinat e mëparshme.
“Në këto ditë të vështira prej pandemisë, kuptuam sa nevojë kemi për mjekë të mirë. Por, nuk e di a mund të kemi mjekë të mirë, nëse ata rriten në kushte spartane. Sot dyfishojmë këtë konvikt, që është konvikti i parë nga dy konvikte binjake, por secili prej tyre është dy herë më i madh. Kështu, shmangim të gjitha sakrificat e studentëve. Sigurisht, nuk i themi “student i shkëlqyer” dikujt që ka mbaruar me të gjitha 5-sa, por atij që ka mbaruar me 10-ta dhe mbi të gjitha është trajtuar me 10-ta, pra me të gjitha kushtet për t’i mundësuar suksesin”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se për të gjithë ata që flasin sot për rininë dhe thonë t’i kthejmë gjërat siç ishin, ky është shembulli se si nuk duhet të harrojmë gjendjen në të cilën i gjetëm.
“Gjërat siç ishin, ishin skandal. Po ta kthejmë këtë konvikt siç ishte, do të thotë të kthejmë ata që zaptuan, që legalizuan dhe hipotekuan në pronë shtet, duke marrë kate të tëra”, kujtoi ai.
Veliaj u shpreh se për sistemimin dinjitoz të studentëve janë hapur shumë kantiere pune.
“Jemi duke punuar në disa kantiere. Puna nuk ndalet as me gjoba, as nga ata që kompleksohen nga puna. Vetëm po pashë tramin do kuptoj që dikush bëri një punë dhe ka të drejtën t’u thotë të tjerëve “mos punoni!” Por, dikush që s’ka bërë asnjë punë, nuk mund t’i thotë dikujt të ndalojë. Ndaj, nuk do ndalojmë as këtu; as te Universiteti Bujqësor, ku po rindërtojmë 8 godina”, u shpreh Veliaj.
Deputeti i PS, Ervin Bushati tha se rindërtimi jo vetëm po sjell kushte shumë më të mira në Tiranë, por edhe po rigjeneron lagje të tëra.