Rindërtimi në Fushë-Krujë/ Pas shembjes së shtëpive pronarët ende pa dëmshpërblim, mbeten peng i Këshillit Bashkiak (VIDEO)

18 Dhjetor 2020, 10:10| Përditesimi: 18 Dhjetor 2020, 11:01

  • Share

Disa objekte u shemben në Bubq për t'i hapur rrugë projektit të rindërtimit në këtë zonë, por pronarët e tyre nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet. Vendimi i qeverisë është botuar në fletore zyrtare, por duket se zbatimi ka mbetur peng i burokracive ne Bashkinë e Krujës.  4 objekte u shemben në total për ti hapur rrugë procesit të rindërtimit në zonën e re të zhvillimit. Këtu do të ndërtohen pallatet e reja për familjet qe mbeten pa strehë nga tërmeti, por ndërkohë pronarët e objekteve të shembura nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet.

 “Më kanë shkatërruar 1200 m  katror ndërtim. Shkova të dorëzoj dokumentacionin e rregullt, për të marrë kompensim. Akoma s’ më kanë dhënë asnjë lloj leku , jetoj sot në qiell të hapur”, shprehet Qemal Ajazi.

Qemal Ajazi thotë se prej dy muajsh ka mbetur pa strehë dhe pa punë, pasi ishin të vetëpunësuar në bizneset që kishin në katin e parë të objektit.

 “Akoma fushë, kam një muaj e gjysmë që kam dalë nga shtëpia akoma siç e sheh. Urdhëro ja ku e  ke sheshin që po rri kot”.

Ai apelon Ministrinë e Rindërtimit dhe Bashkinë e Krujës për vlerën e dëmshpërblimit në shumën e 44 milionë lekëve.

“Ministri i Financave që del në televizor e thotë shpronësim këtu e shpronësim atje, zoti ministër ke bërë vetëm shkatërrim, se unë i kam lekë gjaku lekë pune nuk i kam as lekë hashashi as lek vizash”, thotë Qemal Ajazi. 

VKM-ja për "shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme" në funksion të procesit të rindërtimi është botuar në fletoren zyrtare që më datën 12 tetor. Bashkia e Krujës nuk pranoi të prononcohet për këtë shqetësim të banorëve, por burimet thanë se vendimi ka mbetur peng i Këshillit Bashkiak, i cili nuk është mbledhur prej më shumë se një muaji.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?