Bashkia e Tiranës është gati të nisë procesin e rindërtimit për banesat kolektive, të cilat në kryeqytet përqendrohen në dy zona, tek 5 Maji dhe në zonën e Kombinatit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se themelet e para do të hapen brenda 10 ditësh në zonën e 5 Majit, ku do të ndërtohen 9 pallate të reja për të sistemuar familjet që humbën shtëpitë në tërmetin e 26 Nëntorit.
“Për 10 ditë fillojmë themelet tek “5 Maji”, për 9 pallate. Ditën që ne hapim themelet aty kemi edhe kontratën tip, që secili të ketë një kontratë në dorë përpara se të prishet e vjetra dhe të shohë ku do hidhen themelet e të resë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ndërkohë, ai tha se në zonën e Kombinat ku gjithashtu do ngrihen 8 pallate, punimet do të nisin për në mes të nëntorit.
“Për 30 ditë fillojmë në Kombinat. Aty kemi 8 pallate. Teksa mbarojnë shtëpitë individuale, për shtëpitë në apartament minimalisht secili do ketë kontratën paraprakisht teksa sheh karabinanë dhe punën që ecën”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj inauguruan ditën e sotme dy shtëpi të reja të përfunduara në Kodër Kashar, banesën e familjes së Selman Alukut, përbërë nga 9 anëtarë dhe atë të familjes së Myrteza Hykës, me 3 anëtarë.
“Në të gjithë zonën këtu do të kemi 120 shtëpi të reja. Ky ishte loti i parë me 54 dhe do të vazhdojmë pastaj me lotin e dytë që sapo kaluam në Këshill Bashkiak”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Komente
