Politikë

Rindërtimi/ Zv.kryeministri Ahmetaj në ‘Pa Protokoll’: Ende 157 familje në çadra! Në vjeshtën e 2022 do të jenë akomoduar të gjithë

26 Nëntor 2021, 21:19| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 22:40

  • Share

TIRANË- Dy vite 2 vite tërmetit tragjik të 26 nëntorit ku mbetën 51 viktima, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e njëherësh ministri për Rindërtim, në një intervistë për “Pa protokoll” në Report Tv bëri me dije se janë ende 157 familje të cilat jetojnë në çadra. Përballë gazetares Andulea Ndreu, Ahmetaj tha se 15 mijë familje kanë përfituar nga bonusi i qirasë që prej vitit 2021, ndërsa theksoi se ato që janë në çadra do të vijojnë ta përfitojnë bonusin deri në momentin kur të futen në shtëpitë e rindërtuara.

“26 nëntori i 2019 do ngelet në historinë e Shqipërisë si një nga ditët më të rëndë e vështira për shkak të tërmetit të rëndë që i mori jetën 51 qytetarëve dhe dëmtoi në masë të madhe shumë familje. Dua ti rikthehem asaj data, po shihja me vëmendje fotot e Ramës dhe mu rikthyen të gjitha ato emocionet e vështira.

Është shumë e padrejtë që të politizosh një fakt. Qytetarët janë nga të gjitha trevat që banojnë në 11 bashki, janë kuksianë shkodranë. Trajtimi as nuk ka asnjë lloj gjase që të ishte me ngjyrë. Mbi 15 mijë familje që përfitojnë bonusin, as nuk i ka shkuar mendja njeriu se për kë votojnë. Mbi 15 mijë familje përfitojnë bonus që nga viti 2020, 2021, dhe vitin 2022 familjet do të përfitojnë bonus qiraje.

Sot në çadra janë 157 familje, kryesisht në Durrës dhe në pjesën rurale të bashkisë Durrës, ndërkohë janë shpallur 49 mijë përfitues nga programi rindërtimit, rreth 39 mijë prej tyre janë DS1, DS2, DS3, përfitojnë pagesat për dëmtime të lehta dhe mesatare dhe 10 mijë DS4 dhe DS5 që përfitojnë shtëpi në bazë të aktit normativ numër 9 që ne hartuam për të avancuar programin e rindërtimit”, tha Ahmetaj për Report Tv.

Duke u ndalur në shifra, zv.kryeminsitri tha se deri më tani janë përfunduar 1320 banesa individuale, ndërsa 800 të tjera do të përfundojnë në fund të këtij viti. Sa i përket apartamenteve, ai tha se po ndërtohen 113, ku 23 prej tyre kanë përfunduar. Ahmetaj shtoi se 167 shkolla janë në proces rindërtimi të financuara nga Bashkimi Europian.

“Procesi i rindërtimit ka ecur me shumë shpejtësi edhe si një program investimesh publike. Ka ecur me shpejtësi në të gjitha shtyllat e veta, rindërtimi i gjithë ambienteve arsimore, shkolla, kopshte, çerdhe. Janë 167 shkolla, 97 prej tyre janë nga buxheti i shtetit të financuara, ndërsa një pjesë shumë e mirë e tyre nga donatorët, BE i cili akordoi një grant 115 mln euro, 75 nga të cilat shkojnë për shkollat, kopshtet dhe 40 mln euro për trashëgiminë.  

Banesat individuale, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë 2152 banesa në proces rindërtimi dhe në total sot kanë përfunduar 1320 banesa individuale, 930 të përfunduara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 390 nga Bashkia e Tiranës. Rreth 800 banesa pritet të përfundojnë në fund të këtij viti. Sa i përket pallateve, janë 183 pallate nga të cilat puna ka filluar në 113 dhe kanë përfunduar 23 sot, 407 apartamente, ndërkohë brenda datës 25 dhjetor Bashkia e Tiranës do të përfundojë ndërtimin për 87 apartamente”, tha zëvendëskryeministri në 'Pa Protokoll'.

Në vjeshtën e 2022, sipas Ahmetajt, pritet që të gjitha familjet të akomodohen në banesat e reja.

“Shumica do jenë brenda korrikut, qershorit, do ketë tre lagje të mëdha që do përfundojnë deri në vjeshtë, Spitalla në Durrës, nga fondi i Abhu Dabi, pjesa tjetër që mbyllet në vjeshtë të vitit tjetër janë 5 maji dhe kombinati që praktikisht janë poliqendra të reja”, u shpreh ai.

Akuzat e opozitës se për korrupsion përmes procesit të rindërtimit, ministri i Shtetit për Rindërtimin hodhi poshtë, ndërsa theksoi se 400 kompani kanë marrë pjesë në ndërtimin e banesave. Ai shtoi se nga në buxhetin e shtetit për vitin 2022 janë vënë në dispozicion rreth 33 mln dollarë.

“Janë 400 kompani që kanë marrë pjesë në programin e rindërtimit. E kishim të fiksuar që në fillim që nuk do ndanim lote të mëdha  që një kompani të marri 20 30 40 milionë dollar por i ndamë në 2 3 5 deri maksimumi 7 8 milionë në mënyrë që të furnizohen të gjitha kompanitë me punë, të punësoheshin sa më shumë njerëz, të përfundonte më shpejt, të ishte më transparencë, dhe na rezultoi e saktë si strategji.

Nga buxheti i shtetit po shkon me gjithë vitin tjetër potencialisht edhe me pagesat përfundimtare gjatë vitit 2023, po shkon në nivele gati 700 mln dollarë që do harxhohen për programin e rindërtimit, shkolla banesa, infrastrukturë publike, pagesa kesh grante, rindërtim pallatesh. Viti i kaluar kishte 18 mln dollarë, ky vit do të ketë rreth 32 ose 33 mln dollarë, do kapërcejmë në varësi të mundësive të aktit normativ të fundit që do bëjmë. Do shkojë gati 340 mln dollarë këtë vit, vitin tjetër është programuar 200 mln dollarë dhe pagesat e fundit të 2023 do jenë rreth 10 miliardë lekë, pasi janë kolauduar të gjitha ndërtesat. Nuk kemi probleme sa i përket planifikimit të fondeve dhe fondeve.”, vijoi Ahmetaj.

Tërmeti me magniutë 6.4 rihter që ra në 2019 u ndje në 11 bashki dhe dëmet e shkaktuara ishin shumë të mëdha, sidomos në Thumanë ku ishte edhe epiqendra. Familjeve të dëmtuara iu alokua fond për qiratë nga 10 mijë deri në 25 mijë lekë. Tërmeti solli edhe solidarizim nga shumë vende të botës që ofruan nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha bashkë me forcat shqiptare.

 

Intervista e plotë

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqipe: 27/11/2021 02:35

    Me burr pusht se ky sna kan zen syt

    Përgjigju
    • andi: 27/11/2021 07:15

      si flet kshu per krahun e djatht te edit?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?