Nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Gjergj Kastrioti" në Lezhë e nisën vitin e ri shkollor në ambjente të reja. Godina e shkollës u rindërtua nga themelet, pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Inagurimi i shkollës u bë në prani të Ndihmës-Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën ,Ivana Živković, përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si dhe autoriteteve qendrore dhe vendore.
"Jam shumë i kënaqur që kam takuar drejtoreshën dhe të gjithë mësuesit e shkollës, të cilët bëjnë një punë të shkëlqyer dhe si ata ashtu edhe nxënësit meritojnë këtë shkollë e cila do të sjellë vetëm të mira për të gjithë, përfshirë dhe komunitetin. Dëshira ime është që mos t’i lëmë punët vetëm këtu, por që shkolla të përdoret si një hapësirë që nxënësit, mësuesit dhe prindërit të vijnë të diskutojnë çështje të rëndësishme që janë në interes të fëmijeve", tha Silvio Gonzato, shef i delegacionit të BE-së.
"Jam e kënaqur që gjatë vizitës sime në Shqipëri munda të vizitoja dhe këtë shkollë. Jemi shumë mirënjohës Bashkimit Europian, për këtë investim kaq të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve", u shpreh Ivana Zivkoviç, Ndihmës-Sekretarja e OKB.
Shkolla 9-vjeçare ‘Gjergj Kastrioti’, nga e cila përfitojnë 631 nxënës dhe 38 mësues, është një nga 63 institucionet arsimore të rindërtuara ose të riparuara në Shqipëri në kuadër të Programit ‘EU4Schools’.