Ringjallje

3 Maj 2019, 17:52| Përditesimi: 3 Maj 2019, 17:54

  • Share

Fishta,
-Zotërinj të nderuar, në këtë komunikim ringjallës postum, ne të vdekurit e gjallë do bëjmë sa të mundemi të kjartësojmë si të gjallët e vdekur po ashtu dhe të vdekurit e vdekur për të zezën që i ka gjetur. Lutem bëni kujdes të paraqitemi si kemi qenë, njerëz prej mishi e gjaku, e jo prej allçie, si na përfytyron shumica e budallenjve që vargjet tona i dinë përmendësh. Tani, pa humbur kohë, se varret na presin, ju lutem të nisim.
-Ju zoti Migjen, ju aq delicatissimo e raffinatissimo në ndjenja, në mendime e shpërthime, ç'mendoni Ju Migjen për Shqipërinë e sotme, për atë ku; "Fillimi është mbarim" ?
Migjeni,
-Ah Shqipëri-Shqipëri, Ti më e hirshmja se hëna, më e menduara se muzgu, më e lehta se mjegulla, më delikatja se vesa. Unë që hallet Ty t'i di, mezi flas se veremli jam, por dy fjalë po t'i them; Thatë e ç'nuk thatë për mua. Më shatë e fjalë s'më latë. Deri edhe soc-realist edhe "Niçean" më quajtët. Soc-realist nuk kam qënë e nuk jam. Niçean po. Niçean, po deshët edhe musolinian, jam. Madje, jo vetëm jam, por ashtu si Zoti Lasgush e thotë në një përkthim të tijin, "jam dhe e kam për nder, q'ato që vuan çdo njeri, më mbushin plot me helm e vrer". Sa për "Këtu, fillimi është mbarim", kjo, në Shqipëri ku natën të vrasin dhe në mëngjez të shpallin shenjtor, është, ishte, dhe do jetë gjithmonë e vërtetë. E provova në lëkurën time; Linda po aty ku u kalba, u turbekulova. Pastaj, "duke parë çdo dit' e ma mirë e duke vuejtun thellë e ma thellë" një të ikur në Itali. Kam edhe të tjera. Kaq kisha tani për tani.
Naimi,
-Juve zoti Lasgush ju jam borxhli. Në varr mora vesh se pasi vdiqa, Ju më ngritët edhe disa qiej më lart se isha. Si e kuptoni Ju Zoti Lasgush atë "Këtu pasoja vjen para shkakut" ë?
Lasgushi,
-Eh moj Shqipëri që ta kafshofsha gushën e vullkanit të pasionit nga shpërthen llava e dashurisë që djeg, ta puthsha aeroportin e ballit të nurit ku ngrihen e ulen tajaret e mallëngjimit, ta thithsha hirin e prushit të mbuluar të fundbarkut, ta hëngsha bebzën e syrit të zjarrit. Eh moj Shqipëri, që më bëre të ngrihem nga varri të vij këtu si në mbledhjen e kolektivit në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku përktheja me normë Gëten, Mickieviçin, Pushkinin. Lidhur me pyetjes që më bëtë zoti Naim, përgjigjen sapo e dhatë vetë; Ju, "pasoja", u bëtë aq i madh sepse unë "shkaku", ju bekova nja njëzet vite më vonë. Ti zoti Migjen mos u kollit aq tepër, përmbahu pak. Duke u kollitur bezdis të tjerët që duan të dëgjojnë. Mbledhja është mulli. S'duroj dot më. Pas pak un' Sovrani do iki. Ju vazhdoni se atë punë keni.
Migjeni,
-Ndjehem i prekur që perfeksionisti estetizant Zoti Lasgush e mbylli me një kunj për mua që jam i racës së Tij. Zoti Lasgush mbi kapelën republikë kishte një cikërr balte varri. Unë s'ia vura në dukje. Nejse. T'i lemë këto. Dini të na e shpjegoni Ju zoti Zef Serembe pradoksin tjetër të Shqipërisë së sotme; "Këtu mbarimi është fillim" ?
Zefi duke u dridhur,
-Un' i mjeri që e dua Shqipërinë më hollë se teli tingullin, më dridhshëm se italiani Danten, më bukur se Dantia Beatriçen, më verbtas se besimtari Altarin, më madhërishëm se prifti Kishën, ah sa i desha katundarkat arbëreshe. Aq i desha sa veten vrava. Veten e vrava, pra mbarova, dhe në qiell fluturova, pra fillova. Kaq përgjigja. Tjetër s'di.
Lasgushi,
-Ju zoti Nol, ju që jeni aq i madh sa çdo mëngjes puthni veten në pasqyrë, ju që haberin për të ardhur këtu e morët kur ndërkohë ishit duke luajtur në flaut një "Triste apassionato" që e keni kompozuar vetë, ju që keni shkruar e përkthyer kryevepra me krime që s'i rrok mendja me të gjallë dyshimtarë gjer në lemeri, të vdekur që përpëliten, fantazma që ecin, magjistrica që profetizojnë këndshëm por rrejshëm, a jeni Ju në gjendje ta çthurni çorapin; "Këtu të gjallët e vdekur vlejnë më tepër se të vdekurit e gjallë ?
Noli,
-Po. Por para shthurjes duhet të bëj një skjarim; Shqipëria ka në themel një krim. Jo krim dosido. Krim divin. Perëndia u a ka marrë të gjitha nuret, të gjitha hiret, të gjitha bukurirat, të gjitha pasurirat, të gjitha të tjerave, dhe ja ka dhënë të gjitha Shqipërisë. Ky është filli që duhet kapur për të bërë të mundur të gjitha çthurjet, çorapet, trikot, zgjedhjet, votimet, numërimet. Pas këtij skjarimi, përgjigja për pyetjen Tuaj del vetvetiu; Vet prezenca jonë këtu provon se ne të vdekurit e gjallë të Shqipërisë vlejmë dhe do të vlejmë...etj., etj.
Serembe,
-Naim Bej, o qiri, a s'më thua diçka ? Diçka që në fyt më ka ngecur, diçka që nuk e kuptoj dot kurrsesi, atë; "Këtu pjesëza është me e madhe se e tëra"? S'kam lënë libër dhe enciklopedi pa shfletuar dhe s'e gjej dot.
Naimi,
-Kjo o zoti lirik arbëresh i përmalluar, spjegohet me faktin që Shqipëria është palcë pa kockë, nyjë pa dru, mish pa rrasht. Në Shqipëri ka shumë më tepër kunguj se sqetulla. Unë i marri me mall të shkari këto i kam ditur, por nuk i kam shkrojtur, sepse në kohën që rrojta unë lypseshin të tjera gjëra. Sa i përket pyetjes Tuaj, them se një poezi e vetme e Lasgushit, pra një "pjesë" e Tij është më e madhe se "e tërë" poezia e ndonjë tjetri, apo disa të tjerëve së bashku. S'do ment se për ta besuar këtë, viktimave të armatës së vjershëtorëve dhe regjimenteve të redaktorëve, u duhet të thithin paraprakisht krejt Hashashin e Përmetit. Por s'kam ç'bëj. Kjo është e vërteta. Po të ishte ndryshe, këllirat s'do ishin lëtyra, por Poeta.
Noli,
-Ju lutem prisni. Mos u ngutni të ktheheni. Varret aty janë. Ende nuk kemi mbaruar. Sapo më erdhën dy SMS nga dy mbretër. Të parin ma dërgon Ahmeti nga Mati. Ja teksti;
Unë e dua shqipërinë më tepër se fanatiku mitingun, rapsodi çiftelinë, burokrati skrivaninë, xhelati litarin, litari skllavin, skllavi skllavopronarin, kamikazi kuranin, anglia diplomacinë, amerika naftën. Dëgjoni këshillat e mia. Mos u merrni me dokrra. Merrini Anglisë borxh ca shi' për të mbushur digat, ca asfalt për të shtruar rrugët, dhe ndonjë muze për histori. Të tjerat më vonë, se tani po më bie bateria.
Të dytin ma ka dërguar Skënderbeu. Ja çfarë shkruan Mbreti;
Mua, si i shpatës që jam, nuk më intereson a është a s'është e bukur shqipëria, më quani kaur apo mysliman, kam qënë trim apo frikacak, kush i fiton zgjedhjet, i kapni peshkaqenat e korrupsionit me rrjeta me tel me gjemba nga i kufirit apo me rrjeta nepotike e të tjera e të tjera. Me këto merruni ju. mua më ka ngecur mendja te një punë e pa kryer, një merak i mbetur pezull i homologut tim Ahmetit kur Ahmeti i kërkoi kolonjarit Sejfi Vllamasi t'i mblidhte në një sallë cubat që donin të bëheshin të gjithë ministra, pastaj sejfiu të rrinte i qetë se me ta do merrej ahmeti. Mirpo s'di pse s'u bë. Kunj më ka mbetur, Të dalë sot ndonjë trim atë kunj t'ja shkuli Ahmetit të Nolit tja nguli Hamletit të Matit. Kaq. Ndjesë për gabimet. S'vazhdoj dot. Mu mbarua krediti i celularit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?