Sokol Cikalleshi shënoi golin e shtatë në Arabinë Saudite. Për raundin e 24-t në elitë e futbolit të këtij vendi, kavajasi kaloi Al Khaleej në avantazh qysh në minutën e 23-të me një penallti të fituar nga vetë ai, për t'i hapur rrugën e fitores të tijëve 0-3 në transfertë me Al Faiha.
Nga pika e bardhë e penalltisë, Cikalleshi nuk gaboi nga 11 metra dhe e ndali sferën për herë të shtatë në rrjetë këtë sezon. Më pas Martins dhe Poko shënuan edhe dy gola të tjerë për miqtë.
Me 20 pikë pas 24 javësh, skuadra e Cikalleshit mban vendin e parafundit dhe është një pikë pas zonës së mbijetesës, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje nga fundi i sezonit.
Cikalleshi u huazua në fillimin e këtij sezoni nga Konyaspor dhe me fundin e kampionatit pritet të rikthehet sërish në Turqi, aty ku 32-vjeçari ka kontratë deri në verën e 2024.