Këshillat studentorë ashtu siç ishte paralajmëruar janë mbledhur këtë të dielë, për të diskutuar axhendën , për protestën e studentëve që pritet të rinisë ditën e nesërme më 7 janar. Në ambientin e godinës Iiria në Qytetin Studenti, pa lejuar kamerat, studentët përgatitën qëndrimin e tyre për protestën. Ata premtojnë se pjesëmarrja do të jetë e lartë dhe se nuk do të jenë vetëm studentët, por të gjithë shtresat e shoqërisë që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Mësohet se takimi mes përfaqësuesve të këshillave studentorë është zhvilluar rreth 18.00 ku në qendër ka qenë caktimi i axhendës përfundimtare. Ndërkohë deri më tani nuk dihet asnjë detaj sesi studentët kanë ndërmend ta vazhdojnë protestën ditën e nesërmë, por pritet që ata të bojkotojnë mësimin duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Deri më sot studentët nuk kanë konsideruar të përmbushuar asnjë prej kërkesave të tyre ndërsa janë shprehur të vendosur në vijimin e protestave deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, përfshirë edhe atë të anulimit të ligjit të arsimit të lartë. Qeveria në përgjigje të pikave të tyre hartoi dokumentin e "Paktit për Universitetin", ku përfshihet plotësimi i kërkesave të studentëve për uljen e tarifave studimore dhe përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së mësimdhënies në univerisitete. Ndër pikat që Qeveria ka miratuar në "Paktin për Universitetin" (Lexo këtu) janë: zerimi i tarifave për ekselentët, fëmijët e familjeve në nevojë dhe me aftësi të kufizuara, përgjysmim për të gjithë studentët e tjerë, investimin 27 mln euro në konvikte, kurse anglishtje falas për studentët, bibliotekë online brenda marsit, përfaqësimin e studentëve në bordet e universitetit, transparencë me buxhetin apo dhe nisjen e punës për kartën e studentit. Protesta e studentëve nisën në javën e parë të dhjetorit.
Komente
