Rinis punën Këshilli Ekonomik Kombëtar, ngrihet Shtëpia e Biznesit! Rama: Të zgjidhim problemet e biznesit

12 Janar, 12:16| Përditesimi: 12 Janar, 16:14

  • Share

Tirane- Për herë të parë në Shqipëri, bizneset do të kenë një shtëpi të dedikuar për zgjidhjen e problemeve që ato hasin në aktivitetin e tyre. Ajo do të jetë e vendosur tek një nga kubet e Piramidës.

 “Do të bëhet pika hyrëse e adresimeve të problematikave dhe shqetësimeve që biznesi ka në kryerjen e aktivitetit të përditshëm. Do të shërbej si një shtëpi ku ne jo vetëm do të mirëpresim të gjitha bizneset, por edhe si një vend për takime të sekretariateve teknike që do ngrihen”, tha ministrja për sipërmarrjen Delina Ibrahimaj.

Ky vendim u bë i ditur në mbledhjen e parë për këtë vit të Këshillin Ekonomik Kombëtar, që u riaktivizua pas disa kohësh i pezulluar, e që sipas kryeministrit do të shërbejë për të përmirësuar klimën e biznesit.

“Një sinergjie sa më optimale mes institucioneve dhe sipërmarrjes,  të leximit sa më adekuat të të gjitha problematikave që sipërmarrja has apo që zhvillimi ynë ndesh për shkak të rregullave dhe për shkak të burokracisë  dhe patjetër duke adresuar me sa më shumë ngulm edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me procesin e avancuar të integrimit evropian”, tha Rama

“Vendosëm të riaktivizojmë Këshillin Ekonomik Kombëtar duke e përdorur si një platformë që biznesi të ndikojë në reforma të rëndësishme që qeveria po ndërmerr në drejtim të zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Disa nga nismat që do të ndërmerren në 6-mujorin e parë të këtij viti nga Shtëpia e Biznesit, kanë në fokus reformën e de-rregullimit, për të reduktuar procedurat e dokumentet që i duhen bizneseve për të marrë një leje apo shërbim të caktuar.

Ministrja Delina Ibrahimaj, tha se një nga reformat që po diskutohet ka të bëjë me trajnimin e punonjësve, duke i paguar ato, si dhe do ulen inspektimet ndaj bizneseve.

“Një reformë që do të ketë për qëllim konsolidimin e inspektorateve dhe uljen e numrit të inspektimeve në terren. Ne do të diskutojmë për një propozim që lidhet me trajnimin në vendin e punës të punonjësve. Do propozojmë një instrument të bashke financuar nga qeveria dhe biznesi për të përmbushur të gjitha nevojat që biznesi ka për fuqi të kualifikuar punonjësish”, tha Ibrahimaj.

Po ashtu do të merren masa edhe drejt zhvillimit digjital si dhe po punohet për ligjin e ri të Dhomave të Tregtisë.

Këshilli Ekonomik do të ndërmarrë nisma për rishikimin e ligjeve për lehtësimin e kushteve për të bërë biznes, përgatit sipërmarrjen për integrimin në BE, si dhe synon përmirësimin e klimës së biznesit në tërësi.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?