Lautaro Martinez kërkon një rinovim kontrate me Interin. “El Toro” duket mjaft në formë këtë sezon teksa ka shënuar 22 gola në 23 paraqitje. Forma e tij po krahasohet me atë të Osimhen që vitin e kaluar doli kampion me Napolin.
Nigeriani shënoi 26 gola dhe Lautaro mund të ketë një sezon më mbresëlënës teksa ka ende ndeshje për të luajtur dhe numri i golave mund të rritet. Nga ana tjetër, Interi është +9 pikë në renditje larg nga vendi i dytë dhe po marshon i sigurt drejt titullit kampion.
Në këto kushte Lautaro do të kërkojë një kontratë të re me një pagë më të lartë. Për momentin, argjentinasi merr 7 milionë në sezon, por krahasuar me bomberat e tjerë të Serie A, paga e tij është më e ulët. Osimheni rinovoi pak kohë më parë për 10 milionë në sezon, ndërsa serbi i Juventusit, Dusan Vlahovic do të marrë sezonin e ardhshëm 12 milionë.
Lautaro nuk mund të mbetet prapa në këtë drejtim duke qenë dhe kapiteni i skuadrës kryesuese në Serie A. Rinovimi i tij do të jetë edhe objektivi i madh i klubit zikaltër, megjithatë duhet pritur deri në muajin maj kur do të merret vesh se kush do të jetë pronari i ardhshëm i Interit.