Politikë

Rinumërimi/ Berisha: S'e kërkoi PD, 'humbën' kandidatët! Gjyslyket e kreut të SPAK nuk shohin denoncimet tona

27 Qershor, 13:49| Përditesimi: 27 Qershor, 14:32

  • Share

Për Sali Berishën, rinumërimi nuk do të shënohet në librin e betejave të humbura të të Partisë Demokratike në kërkim të provave për farsën elektorale. Humbja, në këtë rast, për kreun e PD nuk takon kandidatëve, të cilët kërkuan të parët hapjen e kutive e rinumërimin e çdo vote me pretendimin se u vodhën.

"Rinumërimi është kërkesë e kandidatëve të cilën ne e respektojmë dhe i përgëzoj ata kandidatë që kërkuan transparencë. Por nuk është kërkesë e PD. Jo, sepse ne kemi pikëpamjen, kemi besimin, qëndrimin tonë, vota vdiq pa hy në kuti. Kjo është farsa.", tha Berisha. 

Megjithatë, Berisha thotë se hapja e kutive i dha në duar një provë. Në qarkun e Elbasanit, ku ndryshe nga Tirana nuk u rinumërua, por vetëm u rivlerësuan materialet zgjedhore, përfshirë procesverbalet e kutive, Berisha thotë se u vërtetua se në çdo kuti, ishin shtuar vota ekstra.

"Qendra e votimit 2247, janë konstatuar tre fletë votimi që janë konsideruar të pavlefshme, ndërkohë që ishin të vlefshme. Janë gjetur në kutitët e votimit 9 fletë më shumë nga ajo që deklarohet në procesverbalin 08.  Këto fletë votimi më shumë se ç’deklarohen, nuk kanë të bëjnë me atë qendër votimi, sikundër kjo ngjall dyshime të forta se ajo kuti është e mbushur dhe ka zëvendësuar kutinë e qendrës. Në asnjë rrethanë nuk mund të dilnin 9 fletë votimi më shumë se ç’duhet të ishin. Qendra e votimit 2251, në këtë kuti mungojnë vulat që vulosin komisionerët. Tani e kuptoni vetë pra, e kuptoni se kjo kuti nuk ka të bëjë me komisionerë, ka të bëjë me patronazhistët. Mungon shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI. Këto dy gjetje tregojnë se kutia e qendrës së votimit 2251 nuk është kutia ku është votuar. Nuk mundet në asnjë lloj rrethane të mungonin vulat që vulosnin komisionerët, përveçse heqjes së kutive ku janë vulat, dhe të mungojë shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI.", tha Berisha. 

Edhe këtë herë nuk harroi akuzat për kreun e SPAK që sipas tij ka amnistuar krimet elektorale.

"Me gjyslykët e Altin Troplinit nuk ka asgjë të qartë. Po sa herë e denoncoi kartelin Troplini opozita? Sa herë e denoncoi Gys Agasin opozita? Sa kohë e mbajti në xhep mandatin e arrestit Altin Troplini për Troplinët? Besoj se farsa elektorale e zhveshi lakuriq Altin Troplinin. Tregoi se është ortak, komplis në këtë krim të shëmtuar elektoral. Këtu para jush janë paraqitur, dhe kam me dhjetëra në mos qindra të tjera, dokumente të shkeljeve më të rënda ligjore në qendrën e votimit. Kush e pengon përveç përkatësisë së tij kriminale partiake, Altin Troplini për të nisur kryesisht çështje?", shtoi Berisha. 

Një ditë më parë Altin Dumani tha që denoncimet e PD-së për krimet elektorale ishin të paplota. 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • miri: 27/06/2025 14:21

    ik o sali jepu shqiptareve nje shance per nje Opozite qe jua ke mare ti peng

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?