Politikë

Rinumërimi, Blushi për Report TV: Në Kavajë, PL-së iu tjetërsuan votat! ‘Kunj’ opozitarëve: Çdo deputet që kërkoi rihapjen e kutive duhet të jetë prezent

19 Qershor, 13:04| Përditesimi: 19 Qershor, 15:20

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili në shtator do të marrë edhe detyrën si deputet, Tedi Blushi tha për gazetaren e Report TV Esiona Konomi se gjatë procesit të rinumërimit po konstatohen parregullsi, që sipas të cilit, tregojnë manipulimin dhe atë që ka deklaruar kreu i misionit të OSBE/ODIHR Lamberto Zannier se zgjedhjet nuk ishin të barabarta.

“Nuk e prisnim këtë proces për të vërtetuar atë terror elektoral që ka ndodhur më 11 maj sepse faktet tanimë janë publike, janë konstatuar edhe nga vetë kreu i misionit të OSBE/ODIHR, të mos harrojmë rezolutën e PE, 4 rezolutat e organizatave më të mëdha politike, të cilat janë shprehur mbi atë çfarë ka ndodhur me 11 maj. Por sigurisht edhe ky proces ka rëndësinë e vet për të faktuar atë çfarë ka ndodhur në çdo qendër votimi. Pak a shumë është i njëjti fenomen që kostatohet kudo edhe nga ky proces rinumërimi, edhe ditën e votimit, shumë qendra në kryeqytet, ka pasur parregullsi. Po konstatohen thuajse çdo kuti votimi çka tregon edhe njëherë atë çfarë Zannier e tha qartë se këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të barabarta.”, u shpreh Blushi.

I pyetur për kërkesën për rinumërimin e votave në Kavajë pa PD-në aleate, Blushi u shpreh se qëllimi i tyre është që të verifikojnë dyshimet e tyre për tjetërsim votash.

“Ka qenë e kërkesë e vetme e PL e zotit Meta, që e ka bërë të qartë edhe arsyet se në këtë bashki ka dërguar më shumë drejtuar mbështetësve sesa rezultojnë vota. S’ka lidhje sa i përket mënyrës së funksionimit të koalicionit apo të bashkëpunimit me PD, është thjesht për të verifikuar dyshimet tona të arsyeshme se në këtë bashki ka pasur tjetërsim votash. Në vlerësimin tonë nuk ka tretje të votave të PL, por tjetërsim. “, tha Blushi.

Më tej, Blushi foli edhe për dy shembuj që sipas tij tregojnë vjedhjen dhe manipulimin e votave. Së pari, iu referua përplasjes në ditën e zgjedhjeve në Vorë, ku sipas tij, ishin të pranishëm banditë. Ndërsa një tjetër rast që thotë Blushi ka të bëjë me një qendër votimi në Kamëz, ku thotë se qytetarët kanë votuar për PD, por nga ana tjetër, kanë shënuar votën për ministrin e Brendshëm. Kjo sipas tij tregon terrorin që është ushtruar ndaj qytetarëve.

“Do të jap dy shembuj që kam qenë dëshmitarë ditën e votimit në qendrat e Vorës, ku ishin marrë peng nga banditë, edhe të armatostur, ku para mediave kërcënuan drejtuesit dhe deputetët e opozitës, të cilët kërkonin largimin e tyre, një situatë që ndodhte edhe për shkak të inkurajimit të strukturave ligjzbatuese që ditën e votimit nuk ishin fare në bashkinë e Vorës. E kam fjalën jo vetëm policinë, por edhe të ashtuquajtën Task Forcë imagjinare e SPAK, e cila edhe pse u kërkua nga ne për të reaguar, edhe sot e kësaj dite nuk kemi një hetim se kush ishin këta persona. I njeh i gjithë Vora dhe Shqipëria që dolën hapën si bodigardë shoqërues të kryetares së parlamentit të zonjës Spiropali. Rasti tjetër është gjatë rinumërimit që konstatova sot në një qendre votimi në bashkinë Kamëz. U panë shumë fletë të pavlefshme ku qytetarët në kushte presioni kishin votuar PD dhe në anën tjetër edhe ministrin e brendshëm. A ka logjikë që një demokrat të votojë dhe opozitën dhe ministrin e brendshëm.”, tha ai.

Një kunj duket se pati edhe për deputetët që kanë kërkuar rinumërimin e votave, ndërkohë që nuk janë prezent në proces.

“Së pari është detyra e çdo deputeti të jetë këtu, sidomos të çdo deputeti të opozitës që ka kërkuar këtë proces rinumërimi. Përfaqësues e opozitës janë këtu se 24 vëzhgues të koalicionit tonë janë prezent duke monitoruar procesin, por është çështje vullneti dhe përgjegjshmërie. Nuk mund ta lëmë këtë proces ne si forcë politike për sa kohë kemi kërkuar rinumërimin e votave dhe duhet monitoruar nga të gjithë prezent këtu live."

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?