Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, ka reaguar pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave në Qarkun e Tiranës, duke e konsideruar gjithë procesin si një fyerje ndaj integritetit të numëruesve të opozitës dhe ku shprehet se ndaj tyre duhet të kërkohet ndjesë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kruja thotë se pas përfundimit të rinumërimit, është e qartë se nuk ka pasur asnjë manipulim apo shkelje që të justifikonte akuzat e bëra pas zgjedhjeve. Ai u shpreh se numëruesit e PD-së janë njerëz me integritet, të cilët u vunë padrejtësisht në shënjestër dhe për këtë i gjithë kampi opozitar dhe Berisha u detyrohet një ndjesë publike.
“Tani që rinumërimi i Tiranës mbaroi, të gjithë i detyrohemi një ndjesë të madhe numëruesve tanë, puna dhe integriteti i të cilëve, me apo pa dashje, u vu në dyshim. Vajza e djem, gra e burra që sakrifikojnë çdo ditë për atë që besojnë. Respekt.”- shkruan Kruja.
Pas nëntë ditësh rinumërim të të gjitha kutive të votimit në qarkun e Tiranës, procesi u mbyll pa asnjë surprizë, duke mos sjellë asnjë ndryshim në ndarjen e mandateve mes partive politike, as brenda vetë listave të kandidatëve. Rinumërimi prodhoi vetëm një ndryshim minimal në vota, ku Partia Demokratike rezultoi me 612 vota më pak se në numërimin e parë, ndërsa Partia Socialiste humbi 380 vota.
Për dy anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), Koli Bele dhe Ledio Braho, ky proces ka shërbyer për të hedhur dritë mbi një sërë akuzash që rezultuan të pabaza dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj publikut.
Pas Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me hapjen e kutive edhe në qarqet Fier dhe Durrës, në përpjekje për të verifikuar edhe atje pretendimet për parregullsi.
Por ajo që bie më shumë në sy, është se edhe brenda vetë Partisë Demokratike po rritet zëri i atyre që e shohin këtë proces si një manovër të kotë politike dhe si një goditje ndaj punës së njerëzve të ndershëm që kontribuojnë në proceset zgjedhore.
Komente

Fytyra e ndyrë e Partis tate është Keltis!
Përgjigju