Politikë

Rinumërimi/ Kthupi: S’do ketë ndryshim në rezultat! Basha: Lojë për të mbajtur në karrige Berishën! Logu: PS i ka pasur numëruesit funksionarë

18 Qershor, 22:08| Përditesimi: 19 Qershor, 00:01

  • Share

Rinumërimi i votave ka qenë në fokus të emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv mbrëmjen e sotme. Për Rezart Kthupin nga partia ‘Djathtas 1912’, gabimet e identifikuara deri më tani në procesin e rinumërimit kanë qenë të vogla, të cilat sipas tij nuk do të ndryshojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Sipas tij, manipulimi mund të ketë ndodhur brenda grupeve të numërimit, jo me orientim partie.

 ‘Unë kam qenë numërues në shumë zgjedhje, nuk shkon numëruesi me urdhër partie të deformojë votën, ajo që ndodh është kjo. Jam unë numërues, dhe supozohet se ata janë njerëz të besuar të një kandidati, unë përshembull kam Flogertin shok që është kandidatë do përpiqem që ti jap një dorë atij, nuk ka lidhje me orientim partie fare.

Nuk besoj se numëruesit rrezikojnë padi nga Celibashi, por nëse KQZ do ta vlerësojë që ka vepër penale do të veprojë. Në grup numërimi secila palë numëron votat e veta. Ajo që do të vihet re është kjo, grupet e numërimit numërojnë një set kutish dhe do të shihet sjellja e grupit të numërimit, nëse është i njëjti grup dhe ka 5 kuti rresht me gabime, atëherë ky nuk është më gabim njerëzor. Nëse do të qëndrojmë në këto trende nuk do të ndryshojë asgjë në rezultatin e përgjithshëm’, tha ai.

Ekperti i Sigurisë dhe përfaqësuesi i PS Faik Basha, tha se rinumërimi u kërkua nga PD që të mbajë në postin e kryetarit të PD Sali Berishën.

‘E gjithë kjo lojë është për të mbajtur në karrige Berishën dhe për të bërë pis procesin e zgjedhjeve. Kamza ka 120 mijë banorë dhe kemi disa qytetarë që se kanë punën e tyre këtë, janë trajnuar 30 minuta nuk janë njerëz që merren me matematikë. Në 30 mijë vota të lëvizin 15 vota është normale’, tha ai.

Përfaqësuesi ligjor i PD, Besart Logu, ka hedhur akuza të forta ndaj Partisë Socialiste, duke e akuzuar për manipulim të procesit zgjedhor përmes emërimit të njerëzve me peshë politike në rolet e numëruesve.

‘PS të paktën nga 2013 dhe këtej numëruesit i ka njerëz të besuar, njerëz që kanë peshë në parti. I ke drejtor hipoteke, drejtor bashkish, këto kanë qenë numëruesit, këta janë kryehajdutët. PS del që ka manipuluar procesin, ose nuk justifikohet numri i fletëve të votimit. PS s’është me rekorde negative në çdo kuti që është hapur’, tha ai.

Gazetari Flogert Muça, tha se gabimet e evidentuara deri më tani në kutitë e rinumëruara janë gabime njerëzore.

'Kanë votuar afro 30 mijë qytetarë në bashkinë e kamzës dhe janë numëruar afro 30 mijë vota dhe numëruesit e partive kanë gabuar në 80 vota, është zero përqindja e gabimit.  Kur shkrihet 35 dëgjohet dhe e bënë 38 ai atje që e shkruan. Aty për mua ka gabim njerëzor. Po ka një pretendim që është bërë një masakër elektorale dhe lidhet me votën e subjekteve dhe jo me atë të kandidatëve’, tha ai.

Ora 22:55
‘Berisha e mbajti në flakë dhe tym 6 muaj Parlamentin' Kthupi: I thonë regjim Ramës dhe pastaj bëjnë marrëveshje

Rezart Kthupi nga partia 'Djathtas 1912' ka kritikuar sjelljen e Partisë Demokratike në Kuvend, ku sipas tij nga një anë PD ka krijuar kaos dhe nga ana tjetër ka bashkuar votat me PS për të miratuar ligje. 

'Në një vend normal opozita nuk djeg kuvendin për 6 muaj dhe më pas i fut një marrëveshje dhe më pas e djeg prap dhe këtu nuk shkon logjika. E mbajti 6 muaj në flakë PD Kuvendin për të arritur marrëveshjen për amnistinë penale. Ti i bashkon votat pasi ke bërë 6 muaj luftë dhe përballë ke atë që e quan regjimi, me të cilin bënë marrëveshje. Ti ose bënë marrëveshje ose bënë luftë, regjimi nuk mposhtet me marrëveshje, por me luftë. E ka thënë Berisha gjatë gjithë kohës, regjimi i Ramës. Berisha e ka mbajtur Kuvendin në flakë nga tetori deri në prill, 6 muaj dhe pastaj u ulë dhe bëri amnistinë penale’, tha ai.

Ora 22:33
Gazetari: Tabaku dhe Bardhi po flasin me zërin e Berishës, po shkojnë drejt njohjes së zgjedhjeve

 

Gazetari Flogert Muça, teksa u ndal tek reforma zgjedhore tha se nuk priten që të bëhen ndryshime të mëdha.

Ai deklaroi se Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi se po flasin me zërin e Sali Berishës, dhe se janë në rrugën drejt njohjes së zgjedhjeve të 11 majit.

'Këta kanë rënë dakord vetëm për një gjë, doktori dhe Rama do të ndryshojnë ndonjë nen të vogël tek reforma zgjedhore që në të merremi dy muaj, a u ndryshua apo nuk u ndryshua reforma, se tani vota e shqiptarëve nuk preket më edhe në fund do vijmë prap këtu dhe do flasim. Unë nuk jam nga ata që deri dje thosha që një non grata në krye të PD është shkatërrues për PD dhe sot të them që non grata e tij ishte plan për të shkatërruar PD. Tabaku ka folur me gojën e Berishën dhe duke qenë se Berisha se ul dot vetë kokën në këtë fazë dhe të thotë u bë çfarë u bë le të ecim para dhe kemi nevojë për reformë. Kutitë tregojnë se farsë nuk ka pasur, dhe tani Jorida dhe Gazi po flasin me zërin e Berishës dhe po shkojnë drejt njohjes së zgjedhjeve’, tha ai.

 

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?