Përfundon rinumërimi në Tiranë, u hapën 1207 kuti. Rinumërimi ka treguar disa parregullsi, të cilat janë të vogla, saqë nuk kanë ndikuar asnjë rezultat. Nuk ka lëvizur asnjë mandat i partive apo ndonjë renditje e kandidatëve brenda partive politike.
Ajo që ka humbur më shumë vota nga rinumërimi ka qenë PD, e cila bëri edhe betejën ligjore për këtë proces. PD-së i hiqen 612 vota. PS-së i hiqen gjithashtu 381 vota. Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu vota të pamerituara, më konkretisht 44 të tilla. Lëvizja Bashkë ka 57 vota pa meritë, PSD 34. Nga rinumërimi, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 21 vota, të cilat rezultojnë se ia kanë hequr më 11 maj.
Edhe sa i përket kandidatëve, një pjesë e të cilëve nisën betejën ligjore për rinumërimin, rezulton se ka pasur devijime votash. Nga demokratët, kutitë e fundit të rihapura kanë nxjerrë në rend të parë me më shumë vota pa meritë Jorida Tabakun. Sipas të dhënave të KQZ, asaj i janë shtuar 251 vota pa meritë nga numërimi i 11 majit. Më pas vjen Ilir Alimehmeti, i cili kërkoi rinumërim, me 137 vota pa meritë.
Ndërkohë, Ilir Meta rezulton se ka marrë 61 vota pa meritë. Me hapjen e kutive të Kavajës ditën e djeshme, u rrëzuan pretendimet e kreut të PL për lëvizje votash. Meta pretendoi nga burgu se nuk mori vota aq sa mbështetje reale ka në këtë zonë.
Sa i përket PS, i pari me më shumë vota të pamerituara ka rezultuar ministri Ervin Hoxha me 296 të tilla. Ndiqet nga Fatmir Xhafaj me 232 vota pa meritë, 128 Xhemal Qefalia,172 rezulton se ka edhe Erion Braçe, i cili ka shprehur pakënaqësi për rinumërimin dhe KAS, duke e akuzuar këtë të fundit se i ka shpallur votat e pavlefshme. Olta Xhaçka ka 50 vota pa meritë, Blerina Gjylametit i shtohen 19 vota që ia kanë marrë më 11 maj, por sërish nuk mund ta përmbysë diferencën e ngushtë që ka me kolegen e saj socialiste.
Pas rinumërimit të Tiranës, do të vijohet me qarkun e Fierit, dhe një pjesë të kutive të Durrësit, disa prej të cilave janë të diasporës.
Lajm në përditësim...
Teksa procesi i rinumërimit të votave ka përfunduar, dhe pritet që të tabulohet rezultati në KQZ, anëtarët e KAS Koli Bele dhe Ledio Braho kanë folur për mediat. Bele tha se procesi i rinumërimit ka qënë korrekt, ndërkohë që Braho theksoi se nuk kishte lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin.
"Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ.", tha Bele.
"Transparenca i shërben demokracisë. Pavarësisht se nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin. Disa nga qëndrimet e kandidatëve tregojnë se i kanë shërbyer procesit. Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë. ", shtoi Braho.
Sipas Brahos, lëvizja e këtyre votave duket që është gabim dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto vota do të shkonin te kandidatë të tjerë.
"Kini parasysh fletën e votimit të Tiranës. Emrat e kandidatëve janë të pandara në kuadrate. Nëse shikoni emrat dhe tipologjinë e votimit, ka njerëz që mund të kenë bërë gabime, se si e ka vlerësuar një grup ndryshon nga tjetri. Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.
Komente
