Politikë

Riorganizimi i inspektimeve, 14 institucione ‘shkrihen’ në 3 inspektorate të mëdha; Ushqim, territori-mjedisi dhe shëndetësia

17 Korrik, 16:26| Përditesimi: 17 Korrik, 16:31

  • Share

"Të gjithë inspektoratet do t’i integrojmë në një forcë, në një strukturë të vetme të koordinuar bashkërisht"

Vetëm pak ditë pasi Kryeministri Rama bëri këtë deklaratë duke paralajmëruar se shumë shpejt do të vijonte puna për shkrirjen e inspektorateve në një të vetëm, Këshilli i Ministrave përcaktoi 14 institucionet në vend që do të riorganizohen në këtë drejtim. 

Këto 14 drejtori, agjenci apo inspektorate, nën juridiksionin e pushtetit qendror do të rigrupohen me qëllim efikasitetin e inspektimeve dhe uljen e numrit të tyre. Bëhet fjalë për krijimin e të 3 inspektorateve të mëdha qendrore, nën drejtimin e Inspektorit Qendror Shtetëror, që do të grupojë institucionet sipas fushës së tyre të veprimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës do të bashkohen në një inspektorat të vetëm.

IKMT do të bëhet një inspektorat i madh dhe do të përfshijë në gjirin e vet institucionet aktuale si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore; Agjencia Kombëtare e Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Pyjeve; Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;

Edhe institucionet që mbulojnë shëndetësinë do të bashkohen në një inspektorat të vetëm. Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe pjesërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të jenë një.

Këtyre grupimeve të mëdha do t’i bashkohen në varësi të kompetencave të tyre edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut si dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk do të preken në tërësi si institucione por funksionet e tyre inspektuese   do të transferohen në inspektoratet e reja qendrore.  

6 janë ministritë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi i cili bazohet në ligjin e ri për inspektimet që u miratua më 13 shtator të 2024-ës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë,  Arsimit, Ekonomisë si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?