Kuvendi nuk do të hapë menjëherë thirrje nga e para për plotësimin e vakancës së gjyqtares kushtetuese, të lënë bosh nga dorëheqja e Elsa Toskës.
Të enjten, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kërkoi nga Parlamenti të hapej edhe një herë nga e para gara, pasi vetëm 2 kandidatë kishin kaluar filtrin, kur ligji kërkon të paktën 3 emra të vihen në dispozicion të Kuvendit për tu votuar.
Edhe pse karrigia në Gjykatën Kushtetuese është bosh që prej 9 muajsh, burime jo zyrtare pranë Kuvendit, i thanë Report TV, se ky institucion nuk do të nxitojë.
Burimet kujtuan se për çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues dhe ripërtëritjes së Gjykatës ka ende paqartësi, dhe për këtë vetë Kushtetuesja është në proces e sipër për të dhënë një mendim final.
Report TV siguroi dokumentin ku Kuvendi, i kërkonte një interpretim Kushtetueses edhe për mandatin e Elsa Toskës, nëse duhej rihapur vakanca ose jo, për sa kohë, veprimet e Kuvendit në të shkuarën për këtë rast u vunë në pikëpyetje.
Në këto kushte, thanë burimet në Kuvend, “ne nuk mund të nxitojmë për të hapur garën thjesht sepse KED na e kërkoi, kur i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të na japë një interpretim shterues”.
Kështu, Kuvendi do të presë që Kushtetuesja t’i japë një përgjigje Presidentit për rastin e gjyqtares tjetër Sonila Bejtja, për të marrë edhe vetë një vendim për rastin e gjyqtares Elsa Toska, mandat për të cilin është institucioni i emërtesës
Vitin e shkuar, Kuvendi hapi thirrjen për zëvendësimin e Toskës, duke deklaruar se mandati i atij që do të vinte, do të zgjaste deri në vitin 2028, e cila u kundërshtua si zgjatje abuzive me 3 vjet.
Pezullimi i procesit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe vendimi që pritet nga Gjykata Kushtetuese, mund të vendosë në shina ligjore skemën e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me nga 3 anëtarë.
Komente
