Rishikimi i ligjit ‘Për Rininë’, ministrja Bora Muzhaqi nis turin e konsultimeve

3 Korrik, 10:39| Përditesimi: 3 Korrik, 10:40

  • Share

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka filluar turin e konsultimeve për rishikimin e ligjit “Për Rininë” dhe ligjit “Për Vullnetarizmin”.

Takimi u mbajt fillimisht në Kurbin së bashku me Kryetaren e Bashkisë Majlinda Cara dhe një grup të rinjsh nga Kurbini dhe zonat përreth, dhe më pas në Shkodër me praninë e Nënkryetares së Bashkisë dhe një grupi të rinjsh të gatshëm për të dhënë sugjerimet e tyre.

Gjatë këtyre takimeve, të rinjtë patën mundësinë të shpalosnin rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit që prek rininë dhe vullnetarizmin.

Në diskutimet e tyre, të rinjtë theksuan nevojën për përfshirjen e përfaqësuesve të qeverive të nxënësve në Këshillin Kombëtar të Rinisë, duke theksuar se përfaqësimi i drejtë i komunitetit rinor kërkon kuota të dedikuara për të rinjtë në kushte margjinalizimi dhe kritere për barazinë gjinore.

Sa i përket ligjit për vullnetarizmin, të rinjtë u shprehën mjaft pozitivë për programe vullnetare me shtrirje të ndryshme kohore, duke preferuar më shumë ato që zgjasin nga një deri në tre muaj. Ata theksuan nevojën e mbulimit të shpenzimeve vetjake për vullnetarët dhe njohjen e periudhës së vullnetarizmit si vjetërsi pune dhe për aplikime për studime.

Gjatë takimit, të rinjtë plotësuan anketa ku shprehën mendimet e tyre mbi financimin e projekteve vullnetare dhe mënyrat më të përshtatshme për të marrë informacion mbi projekte dhe nisma vullnetare.

Turi “Rinia Ndryshon Ligjet” synon të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe të përfshihet në procesin e rishikimit të ligjeve që i prekin ata drejtpërdrejt, njëjtë me praktikën e ndjekur nga Ministrja Muzhaqi edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besi: 03/07/2024 11:03

    do i sugjeroja nje zgjidhje tjeter ministres nisur edhe nga nje iniciative parlamentare italiane mbi deduksionin me 120% te kostos se punesimit sidomos ne aktivitet e sherbimit bare, restorante dhe teknologji informacioni per te cilat ka me teper nevoje industria e turizmit. Nuk e di si vete andej por me duket iniciative mese e pershtatshme te aplikohet me sukses ne vendin tone dhe deduksioni eshte nje aktivitet mese joshes per biznesin sidomos ato te zhvillimit te pronesise intelektuale

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?