Rishikohet për herë të dytë buxheti i shtetit, duke shtuar pritshmëritë për të ardhurat. Në aktin normativ për rishikimin e buxhetit thuhet se deri në fund të vitit do të mblidhen 576 miliardë e 831 milionë lekë, nga 546 miliardë e 811 milionë lekë që ishte parashikuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars të këtij viti. Pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me mbi 30 miliardë lekë.
Edhe totali i shpenzimeve të planifikuara është rritur nga 647 miliardë e 694 milionë lekë, në 660 miliardë e 694 milionë lekë duke pësuar një rritje prej 13 miliardë lekësh. Si pasojë e rritjes së të ardhurave në raport me shpenzimet Ministria e Financave ka rishikuar edhe nivelin e deficitit buxhetor duke e ulur me mbi 17 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë lekë që ishte parashikuar në 83.8 miliardë lekë.
Në këtë akt normativ është rishikuar fondi i kontigjencës për paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës. Nga 6 miliardë lekë që ishte paketa e parë, në këtë akt normativ është parashikuar shtimi edhe me 6.1 miliardë lekë për këtë zë duke e çuar në total 12.1 miliardë lekë. Me këtë shtim të buxhetit i hapet rruga edhe miratimi tashmë se si do të shpërndahet në zëra 6.1 mld lekë të paketës së dytë të rezistencës sociale. Në akt specifikohet se 1 miliardë e 670 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit. Ndërsa pjesa tjetër e fondit të kontigjencës, do të ndahet sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave se për cilat sektorë apo kategori do të përdoret.
TË ARDHURAT
Ishte 546,8 mld lekë
Bëhet 576,8 mld lekë
Diferenca +30 mld lekë
SHPENZIMET
Ishin 647,6 mld lekë
Bëhen 660,6 mld lekë
Diferenca +13 mld lekë
DEFICITI BUXHETOR
Ishte 100,8 mld lekë
Bëhet 83,8 mld lekë
Diferenca -17 mld lekë
(Kliko këtu për aktin normativ për shikimin e buxhetit të shtetit)
Në aktin e dytë normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2022 janë përcaktuar nga qeveria 14.3 milionë euro për kompensimin e ndërtuesve që kanë një kontratë publike për çmimet e rritura gjatë këtij viti të materialeve të ndërtimit si hekur, çimento, bitum, tuba plastikë, alumin, bakër dhe zink.
Të gjitha kompanitë e ndërtimit që kanë një kontratë për investime publike kanë të drejtë të përfitojnë kompensim nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut për çmimet e rritura.
Për të bërë kompensimin e ndërtuesve do të merren për bazë faturat e materialeve të ndërtimit të lartpërmendura dhe do të krahasohen me çmimet e përcaktuara në preventivin e kontratës dhe në bazë të kostos së shtuar do të bëhet edhe kompensimi i operatorëve.
Ky vendim sipas Ministrisë së Financave për të kompensuar këto kompani u mor për të mos lejuar ngadalësimin e investimeve si pasojë e kostove të shtuara prej shtrenjtimin e materialeve të ndërtimit.
Ndërsa sipas Ministrisë së Infrastrukturës në 5 muajit e parë të vitit çmimi i hekurit është rritur me 57%, i bitumit me 72% dhe çimentos me 74%. Ndërkohë përfitues të këtij vendimi më herët është thënë që do të jenë 300 kontrata publike.
Kompensoni pensionistet se ato kane me shume nevoje se kompanite, mezi i del pensioni duke numeruar ditet per ilaçe dhe ushqime te nevojme
PërgjigjuPo kompesim pe shtresen me te varfer qe jane pensionistet a eshte menduar...
PërgjigjuDo i beni transparente 300 kontratat publike dhe kompensimi qe do marrin kompanite??
PërgjigjuPo kthehet qeveria nga pushimet sic duket...
PërgjigjuVer doren ne zemer o shtet se jane kompani jetime. U duhet shume kesh dhe dashuri qe te rriten. Po kur jane ulur cmimet ne te shkuaren a kane kthyer ndonje lek ne buxhet te shtetit keta “hallexhinjte”? Po sikur “hallexhiu” ta kete blere lenden e pare para dy vjetesh se iu duken cmimet ulet?
Përgjigju