Rishikohet përsëri buxheti/ Ja ku do të merren 7 mld lekë për paketën e dytë financiare... Nga Rapiscani deri tek inceneratoret e Fierit dhe Elbasanit

17 Prill 2020, 17:17| Përditesimi: 17 Prill 2020, 17:39

  • Share

TIRANË- 7 miliardë lekë është fondi i përcaktuar në paketën e dytë financiare për të shpërndarë ndihmën prej 40 mijë lekësh për 176 mijë të punësuar, në biznesin e madh e të vogël. Kjo mbështetje financiare solli edhe ndryshimin e dytë të buxhetit brenda vetëm një muaji. Po ashtu në këtë akt normativ përfshihet edhe fondi prej 15 miliardë lekësh si garanci sovrane për bizneset që do të marrin kredi për pagat e punonjësve.

Po nga do të sigurohen këto fonde? Report TV mëson se nuk do të merren hua apo kredi, por do të sigurohen nëpërmjet alokimeve brenda buxhetit.

Në aktin normativ të ri për buxhetin qeveria ka vendosur të uli shpenzimet e buxhetit qendror me 7 miliardë lekë. Kështu, nga 414.2 miliardë që ishin në aktin normativ të parë ky zë tashmë është ulur në 407.2 miliardë lekë, në mënyrë që të reflektohet rritja e fondit për emergjencën COVID-19.

Sipas relacionit shoqërues janë shkurtuar 829 milionë lekë shpenzimet e personelit, janë shkurtuar me rreth 1.28 miliardë lekë edhe shpenzimet operative. Po ashtu duke marrë parasysh ngadalësimin e aktivitetit të institucioneve buxhetore për periudhën mars-maj, është reflektuar kursimi i 582 milionë lekëve. Nga ana tjetër 700 milionë lekë do të merren nga kontrata vjetore e skanimit në doganë apo e Rapscanit.

Në relacion thuhet se 4.25 miliardë lekë janë marrë nga pagesat e parashikuara për investimet e brendshme, konkretisht 1 miliardë lekë nga projektet e shkollave, rreth 1 miliard lekë do të merren nga projekti i Rrugës së Arbrit, po ashtu rreth 1 miliard lekë do kursehen nga Ministria e Mbrojtjes si dhe do të merren 800 milionë lekë nga kontratat e inceneratorëve Fier & Elbasan. Ndërsa nga investimet e huaja do të kursehen rreth 634 milionë lekë.

Me aktin e dytë normativ zëri i kontigjencës për paketën sociale anti Covid-19 arrin  në vlerën e 13.5 miliardë lekëve. Ndërsa ka mbetur i pandryshuar deficiti buxhetor në nivelin e 68.6 miliardë lekë.

(Kliko këtu për të lexuar disa ndryshime per buxhetin )

(Kliko këtu për të lexuar relacionin per aktin normativ)

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Faisbe: 17/04/2020 18:57

    Kuvendi i djeshem,dt.16 prill 2020 ishte nje "Dreke Ngjalash",si ajo e 1 prillit 2013 te Gjiri Lalzit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?