Rishikohet ligji/ Zero tatim për pagat deri në 50 mijë lekë, përfitojnë 58% e të punësuarve në vend

17 Qershor 2022, 14:12| Përditesimi: 17 Qershor 2022, 14:20

  • Share

Pa u bërë ende 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për ndryshimin  e taksimit progresiv mbi pagat, ku u zerua tatimi për ata që marrin deri në 40 mijë lekë, qeveria zotohet për ta rishikuar përsëri ligjin. Tashmë synohet tatim zero për të gjithë qytetarët që paguhen deri në 50 mijë lekë, nga 40 mijë lekë që është prej 1 prillit 2022. Ndryshimet ligjore pritet të prezantohen së shpejti, dhe kjo nismë pritet të ndikoj në rritjen e të ardhurave tek qytetarët që kanë paga nën 50 mijë lekë. 

Nëse ky premtim realizohet praktikisht më shumë se 58% e qytetarëve të punësuar në vend, nuk do paguajnë tatim për pagën. Pasi sipas të dhënave të INSTAT, 21.1% e punonjësve kanë rroga deri në 30 mijë lekë, ndjekur me 23,3% të atyre që paguhen 30-40 mijë lekë dhe janë rreth 13,6% e të punësuarve në vend që paguhen nga 40-50 mijë lekë. Praktikisht nga 1,266,652 që është numri total i të punësuarve në vend, 58% e tyre ose rreth 734,658 punonjës do të jenë pa taksa.

Skema aktuale po ndryshon edhe për shkak se vjet kur u rishikua taksa progresive për pagat, u caktua që kur një qytetar paguhet me 50 mijë lekë tatimi për të do të fillonte nga paga 30 mijë lekë dhe për 20 mijë lekëshin punonjësi duhet të paguante 6.5% tatim. ( Paga 50 mijë lekë, tatimi që paguhet është për vlerën mbi 30 mijë lekë që është 20 mijë lekëshi). Vendim që u kundërshtua edhe nga vetë socialistët pasi nuk ishte zerim i pastër i taksave për pagat deri në 40 mijë lekë.

Ky rishikim i shpejtë i ligjit sipas qeverisë shkon përkrah politikës socialiste që kush merr pak do paguaj më pak, sidomos në kohën e krizës së çmimeve. Ende nuk saktësohet nëse do të ketë ndryshime të tjera në fashat e taksimit, por në projektligjin e hedhur për konsultim publik që shfuqizon ligjin Ligji Nr 8438, datë 28.12.1998, për tatimin mbi të ardhurat, janë caktuar vetëm 2 fasha për taksimin e të ardhurave nga punësimi.  Konkretisht në të thuhet se të ardhurat bruto nga punësimi deri në 2,040,000 (170 mijë lekë në muaj) do tatohen me13%  dhe mbi 2,040,000 do tatohen me 23%.

NUMRI I PUNONJËSVE SIPAS PAGAVE

Paga deri 30 mijë lekë                           21.1% e punonjësve

Paga mbi 30 deri 40 mijë lekë               23,3% e punonjësve

Paga mbi 40 deri 50 mijë lekë               13,6% e punonjësve

 

PR/LIGJI I TATIMIT MBI TË ARDHURAT

Baza tatimore vjetore                    Tatimi

0 – 2,040,000                                  13%

Mbi 2,040,000                                 23%

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?