Ekonomi

Rishikohet për herë të pestë buxheti, shtohet eurobondi! 'Financat': Paratë e marra janë investuar! PD: Borxhi ka arritur 3400 euro për frymë

28 Tetor 2021, 16:07| Përditesimi: 28 Tetor 2021, 18:17

  • Share

TIRANË- Në përgjigje të akuzave të opozitës për keq-menaxhim të borxhit publik, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, tha nga foltorja e kuvendit se eurobondi i kaluar ka shkuar për investime.

“Ndryshe nga çfarë thuhet këtu në Parlament, ky borxh shkoi për të financuar investime, projekte të cilat po përkthehen në rritje ekonomike siç është, e thënë edhe nga FMN, rritja ekonomike e vendit në 6 mujorin e parë, e cila është më e larta në rajon”, tha Ibrahimaj.

Për të treguar mirë-menaxhimin e borxhit nga qeveria socialiste, ministrja Ibrahimaj dha disa shifra.

“Interesat e borxhit kanë ardhur në rënie. Në vitin 2020 Shqipëria pagoi rreth 34.4 miliardë lekë interesa ose 2 % më pak se një vit më parë, ndërkohë që në krahasim me vitin 2010 këto ishin 17.3 % më pak. Borxhi i qeverisjes qendrore pritet që në fund të vitit 2021 të arrijë nivelin 80% të PBB-së, i ndikuar nga emetimi i Eurobondit dhe disbursimi i disa mbështetjeve buxhetore që janë në proces”, tha Ibrahimaj.

Ky argument nuk pranohet nga deputetja e opozitës Jorida Tabaku e cila thotë se borxhi për frymë është rritur me 1300 euro.

“Në 2015 u morën 500 milionë euro borxh për të larë një borxh të marrë 2 vite më parë. Çfarë është bërë me borxhin. Qeveria ka dalë përsëri në treg dhe ka marrë 650 milionë euro të tjera me një nxitim të jashtëzakonshëm përsëri për të larë borxhin. E gjetën me 2100 euro për frymë borxhin në 2013, dhe sot po shkon 3400 euro për frymë”, pohon Tabaku.

Këto diskutime janë bërë teksa në Kuvend u shqyrtua projektligji për marrjen e eurobondit në fillim të nëntorit në vlerën e 700 milionë eurove. Për këtë qëllim qeveria ka ndryshuar për herë të 5 buxhetin e shtetit me qëllim që të përcaktohet edhe vlera e eurobondit, si dhe rritja e borxhit publik në 80% në raport me PBB-në.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?