Siguria digjitale, bujqësia, bizneset e vogla dhe projektet e mbështetura nga BE, do të marrin më shumë para nga buxheti i shtetit në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Akti normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti për herë të dytë, është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe evidentohet fakti se janë rishpërndarë 118 milionë euro në sektorë prioritarë.
Përmes këtij rishikimi 5.6 miliardë lekë (56 milionë euro) do të shpenzohen për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Po kështu janë shtuar fondet për skemën e bujqësisë, ku fondi i garancisë sovrane nga 2 miliardë lekë (20 mln euro) që ishte është rritur me 1 miliardë lekë (10 milionë euro). Pra fermerët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme do të kenë në total në dispozicion 30 milionë euro garanci sovrane, e cila do tu japë mundësi atyre të marrin kredi me interesa të favorshme pranë bankave të nivelit të dytë.
Përpos këtyre ndryshimeve Ministria e Financave thotë se mbetet i pandryshuar deficiti buxhetor prej 68.1 miliardë lekë (681 mln euro) dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.
Ministria e Financave këtë rishikim e argumenton me nevojën për të kaluar fondet e kursyera nga institucionet në sektorë e fusha të tjera që kanë bërë kërkesa për para shtesë.
“Volumi i fondeve të përgjithshme që parashikohen të alokohen apo të rialokohen llogaritet në rreth 11.8 miliardë lekë dhe fokusi do të jetë në mbështetjen e sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike”, thotë Ministria e Financave.
Gjatë katër muajve të parë të këtij viti institucionet nuk realizuan 11.7 miliardë lekë (117 mln euro) shpenzime të planifikuara, pasi investimet u stopuan edhe si rezultat i zgjedhjeve elektorale. Për këtë arsye këto para janë shpërndarë në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Komente
