TIRANË- Për herë të parë në e-Albania, prindërit mund të gjenerojnë online kartelën e vaksinimit të fëmijëve. Drejtoresha e e-Albania Nevila Repishti, e ftuar në Report Tv dha detajet për këtë risi, ndërsa ndalur në shifra tha se janë rreth 30 mijë kartela që janë gjeneruar nga prindërit. Kjo risi në e-Albania ka lehtësuar procesin e regjistrimit të fëmijëve në klasat e para, por edhe në kopësht dhe çerdhe, pasi prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë në qendrat shëndetësore për t’u pajisur me kartelën e vaksinimit. Ky shërbim ofrohet për rreth 200 mijë fëmijë nga mosha 0-7 vjeç.
“Ajo çfarë kishte mbetur në 3 vitet e kaluara, që duhej realizuar dorazi, ishte dorëzimi i kartelës së vaksinimit për fëmijët e klasës së parë deri në ditën e fillimit të shkollës. Risia këtë vit ishte dixhitalizimi i kësaj procedure. Që nga 1 qershori të gjithë prindërit mund të gjenerojnë online për fëmijët nga 0-7 vjeç kartelën elektronike të vaksinimit. Ju erdhi në ndihmë edhe prindërve që donin të regjistronin një fëmijë në kopsht apo çerdhe. Nuk ishte më nevoja të paraqiteshin fizikisht në qendrat shëndetësore por e merrnin në e-Albania me vulë elektronike në kohë reale. Janë rreth 30 mijë kartela vaksinimi që rezultojnë të gjeneruara”, tha Nevila Repishti.
E ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Repishti tha se tashmë prej katër vitesh në e-Albania mundësohet online edhe regjistrimi për nxënësit e klasës së parë dhe ata të klasës së dhjetë. Rreth 25 mijë nxënës janë regjistruar përmes e-Albania në klasë të parë dhe rreth 28-29 mijë për klasën e 10-të.
“Për të katërtin vit radhazi aplikimet për tu regjistruar në kalasë të parë dhe të 10 janë realizuar në e-Albania me burokraci minimale. Nuk nevojitet asnjë dokument shoqërues, përveçse në rastet kur regjistrimi bëhet nga kujdestari ligjor i fëmijës së mitur. Janë rreth 25 mijë nxënës të regjistruar në e-Albania në klasë të parë dhe rreth 28-29 mijë regjistrime të bëra në e-Albania për klasën e 10-të. Ky aplikim trajtohet nga administratori i shkollës përkatëse dhe brenda 10 ditëve është marrë përgjigje për prindërit po nëpërmjet e-Albania”, vijoi drejtoresha e e-Albania.
Aktualisht, Repishti tha se në e-Albania ofrohen 1245 shërbime publike.
"Janë 1245 shërbime publike që merren përmes portalit e-Albania, ose 95%. Ka nisur me 14 shërbime elektronike në 2013, 50 qytetarë dhe biznese të regjistruar dhe sot numërohen 3.2 të tillë që marrin rreth 1.1-1.3 mln shërbime publike çdo muaj në e-Albania. Janë 35 mln dokumente me vulë elektronike që gjëndërohen me vulë reale që nga viti 2017", u shpreh ajo.
Repishti tregoi edhe ambiciet për shërbimet e reja që e-Albania pritet të implementojë.
“Ngjarjet e jetës që po punohet për t’u implementuar janë: lindja e një fëmije, kërkimi i një pune, ndryshimi i vendbanimit, dalja në pension, si edhe shëndeti dhe paafatësia”, vijoi ajo.
Një risi tjetër risi e e-Albania që u realizua nga dhjetori 2023 është asistenti virutal që iu përgjigjet në kohë reale pyetjeve më të shpeshta për marrjen e shërbimeve publike, varianti 1.0. Repishti zbuloi në Report Tv se po punohet për një tjetër variant, një asistent virtual me zë dhe figurë.
“Po punohet në një variant më të integruar, në përdorimin e inteligjencës artificiale deri në ofrimin e shërbimeve të personalizuar për qytetarët sipas nevojave duke i shtuar edhe modalitet e figurës dhe zërit, për të kaluar te asistenti 2.0”, tha Repishti