Bota

Ristrukturim i Departamentit Amerikan të Shtetit, 1300 punonjës shkarkohen nga detyra

11 Korrik, 18:27| Përditesimi: 11 Korrik, 18:30

  • Share

Më shumë se 1.300 punonjës të Departamentit Amerikan të Shtetit po largohen nga detyra në kuadër të një plani të gjerë riorganizimi të iniciuar nga administrata e Presidentit Donald Trump, një veprim që është cilësuar si i rrezikshëm nga kritikët, të cilët paralajmërojnë për pasoja të mëdha në rolin global të SHBA-së dhe në aftësitë e saj për të përballuar kërcënimet ndërkombëtare.

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, i cili foli në mënyrë anonime për Associated Press, 1.107 punonjës civilë dhe 246 zyrtarë të shërbimit diplomatik që aktualisht shërbejnë brenda territorit amerikan, janë njoftuar për shkarkimin e tyre.

Zyrtarët diplomatikë që preken nga ky vendim do të vendosen fillimisht në leje administrative 120-ditore, pas së cilës do të shkarkohen përfundimisht nga pozicionet e tyre.

“Si pjesë e riorganizimit të brendshëm të Departamentit, po ndërmerren hapa për të zvogëluar funksionet e brendshme në mënyrë që të përqendrohet tek prioritetet diplomatike,” thuhet në një dokument zyrtar. Sipas të njëjtit burim, shkurtimet janë planifikuar për të prekur kryesisht funksione jo-kritike, detyra të përsëritura ose zyra ku është e mundur të arrihen kursime përmes bashkimeve funksionale.

Ndërsa presidenti Trump, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe aleatët republikanë e përshëndetën masën si një hap të nevojshëm dhe të vonuar për ta bërë institucionin më efikas, shumë diplomatë aktualë dhe ish-zyrtarë kanë shprehur shqetësim serioz.

Sipas tyre, shkurtimet do të dëmtojnë ndjeshëm ndikimin global të SHBA-së dhe do të dobësojnë kapacitetin e saj për të përballuar sfidat dhe kërcënimet në rritje në arenën ndërkombëtare.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?