Artistja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka bërë homazhe Liam Payne-it mbrëmjen e MTV Europe Music Awards (EMAs) që u mbajt më 10 nëntor në Mançester.
Aktiviteti u zhvillua thuajse një muaj pas vdekjes së yllit “One Direction”. Rita Ora bashkëpunoi me Payne në këngën e tyre që u bë më pas hit i vitit 2018, For You.
Artistja e kujtoi Liam si “një nga njerëzit më të sjellshëm që ka njohur”.
“Dua të marr vetëm një minutë për të kujtuar dikë që ishte shumë, shumë i dashur për ne. Ne e humbëm atë kohët e fundit dhe ai ishte një pjesë e madhe e botës së MTV-së dhe botës time. Liam Payne ishte një nga njerëzit më të sjellshëm që kam njohur. Ai kishte një zemër të madhe dhe ishte gjithmonë personi i parë që ofronte ndihmë kur ndodhej në vështirësi, ndaj kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për mikun tonë”, u shpreh Rita.
Liam Payne, i cili arriti sukses të madh me One Direction nga viti 2011 deri në 2016, nisi karrierën e tij solo me performancën e këngës së tij debutuese “Strip That Down” në MTV EMA të vitit 2017.
Kënga e kompozuar nga Ed Sheeran, u bë një hit, duke e shënuar Liamin me gjashtë këngë në Top 40 në Mbretërinë e Bashkuar si artist solo.
Liam ndërroi jetë më 17 tetor në në Buenos Aires, Argjentinë teksa u rrëzua nga ballkoni i katit të tretë. Raportohet se këngëtari ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit në momentet e fundit të jetës së tij.