‘Rithemelimi’: Shteti garant i ‘Inceneratorit të Tiranës’, projekti fantazmë do të ndërtohej mbi një truall 100% publik

20 Gusht 2022, 12:18| Përditesimi: 20 Gusht 2022, 12:53

  • Share

TIRANË- Prej ditësh, ‘Rithemelimi’ ka hedhur akuza përkundrejt qeverisë sa i përket inceneratorëve, ose ajo që e quajnë si aferën më të madhe korruptive. Në një dalje për mediat nga selia blu, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja është ndalur te inceneratori i Tiranës, ku shprehet se shteti shqiptar i ka dalë garant një projekti fantazmë do të ndërtohej mbi një truall 100% publik

 “Prej javësh denoncojmë çdo ditë, me fakte dhe prova, vjedhjet miliona euroshe nga inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Për nga vlerat e abuzuara, janë në lojë mbi 430 milion euro; për nga individët e përfshirë, Kryetarë Bashkish, Ministra e vetë Kryeministri; për nga skemat e përdorura, kompani guacë brenda dhe jashtë vendit në pronësi njerëzish të vdekur apo në azil; gjithçka në këtë skandal përbën një mega-aferë.

 Një mega aferë tejet komplekse dhe që dëshmon se hajdutët në fakt janë vetë qeveritarët. Sot do të ndalemi tek Landfilli i Sharrës në Tiranë pasi mega-skandali nuk prek vetëm inceneratorët por të gjithë zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve. Flasim gjithmonë për të njëjtën kompani “Integrated Energy B.V.” e cila nuk paguhet vetëm për të djegur plehrat që nuk digjen askund. 

 Më konkretisht, Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private.  Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private.  Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik”, tha Kraja.

 Për këtë arsye i kanë kërkuar përgjigje për 5 pyetje.

“1. Sa është vlera në miliona euro, që shteti shqiptar, ka kompensuar deri më sot në emër të Integrated Energy pronarët privatë të truallit në Sharrë? 
 2. Sa është numri i gjyqeve që shteti shqiptar ka më pronarë të truallit që kërkojnë një kompensim më të lartë, dhe sa është parashikimi i detyrimeve totale në fund të këtyre gjyqeve?
3. A mund të jetë ky truall publik, prej 15 hektarësh, objekt sekuestrimi nga bankat kreditore të Klodian Zotos për kreditë e mos-kthyera nga ai, dhe sa shkon humbja në total për shtetin shqiptar?   
4. Sa është fitimi në miliona euro, që e njëjta kompani fantazëm ka nxjerrë nga faturimi i depozitimit inerteve të ndërtimit në këtë truall publik?  
5. Përse Bashkia Tiranë vijon ta lejojë këtë kompani fantazëm, një nga administratorët e të cilës është objekt hetimi dhe kërkimi ndërkombëtar, të vjelë miliona euro fitime nga përdorimi i një trualli publik si Landfilli i Sharrës ? Përgjigjja është vetëm një. Sepse këto janë punë plehrash, punë hajdutësh, punë fantazëm për një mega-aferë qindra milionëshe”, përfundoi ai.

‘Inceneratorët’ janë ‘karta’ që po përdor opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës kundër qeverisë, ku ditë pas dite hedhin akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilët e cilësojnë atë si “kokën” e kësaj afere. 

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ceni: 21/08/2022 14:21

    O kraje shko tek kraja i spakut dhe denoncoje qe te jesh deshmimtar kur te zhvillohet gjyqi

    Përgjigju
  • jorgo: 20/08/2022 21:02

    Ceshte ki Akil mo, nga na dole na vera e semes te dhjefsha mustaqet...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?