Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) ka shpenzuara 20 mln euro për blerje energjie për një periudhë vetëm 6 ditore nga data 11-17 korrik. Kështu ka bërë me dije Eduard Elezaj, ekspert për energjinë në Partinë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, Elezaj thotë se janë harxhuar 15 mln euro më shumë, kjo pasi është fakt se ditën kur është bërë blerja, çmimi në bursë ka qenë 110 euro për MWH dhe KESH ka shpenzuar 473.76 Euro/MWH.
Përfaqësuesi i Rithemelimit i kërkon SPAK që të nisë hetimet e menjëhershme për zbardhjen e abuzimeve në sektorin e energjisë, që nga tenderat sekretë deri të financat e operatorëve të fushës.
‘Korporata Elektro-Energjetike shqiptare, e kthyer në ‘KESH-in e partisë’, ka shpenzuar të shtunën 20 milion euro për blerje energjie. Nëse mendoni se me aq para është blerë energji për disa muaj, e keni gabim. Bëhet fjalë për vetëm një javë, periudhën 11-17 korrik.
Çka e kthen këtë rast në skandal dhe shpërdorim të parasë publike, është fakti se ditën kur është bërë blerja, çmimi në bursë ka qenë 110 euro për MWH. KESH ka shpenzuar 473.76 Euro/MWH.
Sipas një përllogaritje të shpejtë janë harxhuar 15 milion euro më shumë. Partia Demokratike bën këto pyetje, në emër të çdo qytetari që shqetësohet për çmimin e energjisë, sepse e paguan nga xhepi:
Pse për këtë blerje është harxhuar trefishi i çmimit të bursës? Pse KESH nuk ka siguruar energji elektrike përmes procedurave mujore apo 3 mujore, por ka blere energji me periudha disa ditore? Pse KESH ka zhvilluar rreth 45 procedura blerje të energjisë elektrike, nga janari deri tani, duke fshehur të dhënat e këtyre tenderave? Pse KESH nuk ka publikuar të dhënat e kompanive pjesëmarrëse në tender, çmimet e ofruara prej tyre, apo fituesit? Pse qeveria, ndërkohë që ka deklaruar krizë energjetike deri në Dhjetor 2022, nuk ka marrë asnjë masë për të përballuar krizën?
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë hetimet e menjëhershme për zbardhjen e abuzimeve në sektorin e energjetikës, që nga tenderat sekretë deri te financat e operatorëve të fushës.’- u shpreh Elezaj.