‘Rithemelimi’ prezanton një tjetër kandidat në Primare, pedagogu Artur Lazri për Mirditën: Vetëm të bashkuar ia dalim të fitojmë

29 Nëntor 2022, 12:59| Përditesimi: 29 Nëntor 2022, 14:05

  • Share

Artur Lazri është njëri prej 6 kandidatëve të ‘Rithemelimit’ për primaret në Bashkinë e Mirditës, bashkë me Aleksandër Lalajn, Albert Mlyshin, Gjon Ndojn, Martin Bibën dhe Saimir Kolë.

Në prezantimin që i bëri sot platformës së tij nga Selia blu në Tiranë, Lazri tha se fitorja më 14 maj do të vijë si pasojë e bashkimit të sinqertë të gjithë komunitetit, pa kurrfarë dallimi moshe, gjinie apo statusi social.

Ai kërkon bashkimin e grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave, intelektualëve dhe punëtorëve për fitoren e zgjedhjeve vendore në 14 maj 2023.  Artur Lazri thotë se fitorja e tij në këto zgjedhje do të t’i shtojë komunitetit vlera pozitive dhe frymë bashkëpunimi.

“Le të marrim forcën e bashkimit të sinqertë të anëtarëve, simpatizantëve, vlerave humane të djathta, të grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave, intelektualëve, studentëve, punëtorëve dhe ti përqendrojmë ato në fitoren e madhe për Bashkinë Mirditë me 14 maj 2023.”, ka thënë kandidati i Primareve në Mirditë.

Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën aktuale të PD, ku sipas tij bashkimi është një sfidë e vështirë, por jo e pamundur dhe e pazgjidhshme.

 “Së pari, bashkimi i PD. Do e fillojmë bashkimin nga shtëpia jonë demokrate dhe pastaj do e zgjerojmë deri sa të krijojmë aleancën e vlerave kundër të keqes që na ka zaptuar çdo hapësirë në Shqipëri”, vijon ai.

Kandidati i Berishës në ‘Primare’ thotë se Mirdita po vuan çdo pasojë nga shpopullimi që ka kapluar, që sipas tij është bërë “gangrenë” e viteve të fundit.

“Mirdita po vuan gangrenën e madhe të largimit të njerëzve dhe familjeve, kryesisht të rinjve. Vetëm 110 nxënës u ulën në klasën e parë në të gjithë Mirditën. Punësimi tej normave për frymë popullsie me mbi 600 punonjës ku një pjesë e tyre nuk e dinë as ku e kanë vendin e punës, si dhe korrupsioni galopant në Bashkinë Mirditë, ka sjellë qeverisje të keqe dhe inekzistente, shërbime preferenciale apo të munguara“, thotë Artur Lazri

Ai e mbyll deklaratën e tij me shprehjen e dijetarit të madh austro-hungarez, Karl Steinmetz,i cili në vitet e para të shekullit të kaluar eksploroi veriun e trojeve shqiptareve. Për zonën e Mirditës ai tha: ’Paqja e fjala në Mirditë nuk blihen me para’.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?