'Rithemelimi' protestë ditën kur liderët e BE vizitojnë Tiranën? Balla: Berisha nuk e do integrimin! Fyese që planifikon mitingun më 6 dhjetor

17 Nëntor 2022, 11:42| Përditesimi: 17 Nëntor 2022, 14:03

  • Share

“Këtu do vijë Europa. Duhet të shohë popullin opozitar”. Kjo është deklarata që bëri Sali Berisha dhe PS e nënkuptoi si një mesazh se protesta e radhës do të mbahet më 6 dhjetor, ditën kur Tirana do të presë liderët europianë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla u shpreh se do të jetë fyese për secilin në rast se Rithemelimi merr këtë vendim. Po ashtu shtoi se nuk e do integrimin europian ndaj bën reagime të tilla. Nuk munguan komentet për bllokimin e Foltores, që Balla e konsideron ‘turp’ që non grata (Sali Berisha) pengon punën e Kuvendit’.

“E njëjta njollë e zezë e Shqipërisë, u mundua të marrë peng Kuvendin e Shqipërisë. Vijoj ta them sa herë të më jepet mundësia, është në turpin e Kuvendit të Shqipërisë, që një nongratë me një bashkëpunëtor të Sigurimit të mundohen të pengojnë punën e Kuvendit. Ajo që sapo shqiptarët panë si një rikthim në kohë shumë vite më parë teksa i njëjti person, e njëjta sjellje politike dhe njollë e zezë e Shqipërisë, edhe sot u mundua të marrë peng Kuvendin dhe natyrshëm vazhdoj ta them, është në turpin e Kuvendit që një non grata, së fundmi në bashkëpunim me një bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit të mundohen të pengojnë punën e Kuvendit. Çdo institucion, çdo shtet e mbajnë rregullat e ligjet. Rregullorja e Kuvendit është e qartë kur dikush mundohet të marrë me forcë Kuvendin. Planifikimi i mitingut të radhës në ditën e samitit BE-Ballkani Perëndimor janë ato që shkaktojnë dhimbje që kthehen edhe në formë fyese për secilin prej nesh. Sali Berisha nuk e do integrimin”, tha Balla.  

Për deklaratën e Berishës reagoi edhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja duke thënë se ‘kalorësi’ do të zbresë në shesh popullin opozitar kur të mbahet më 6 dhjetor. Pasi bllokoi Foltoren e Kuvendit dhe u fut Live në Facebook, ish kryeministri doli jashtë dhe foli para mediave duke paralajmëruar Edi Ramën që të mos flasë me gjuhë fyese dhe shtoi se Europa do duhet të shohë popullin e opozitës por nuk dha një datë se kur do të mbahet protesta e radhës. 

“A do t’i hymë vezirit brenda? Ato i di populli. Do të japë mesazh. Brenda dy ditëve do të vendoset. Padiskutim do ketë protestë brenda këtij viti. Këtu zbret Europa. Europa duhet të shohë popullin e saj. Populli i Europës është opozitar. Popoulli opozitar do të jetë këtu patjetër. Nuk ndërpritet më beteja për votën e lirë. S’na ndalon më asgjë”, tha Berisha.

Më 6 dhjetor, liderët e Bashkimit Europian do të vijnë në Tiranë pasi do të mbahet samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor.  Mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në samitin që mbahet për herë të dytë brenda vitit, mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. 

Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE.

Ora 13:21
Manja-Berishës, i bën thirrje opozitës: Do të bëjë protestë kur presim Evropën, ndahuni nga ky njeri me politikë të mbrapshtë  

1668687713_ulsi.JPG

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur ish kryeministrit Berisha për protestën e nënkuptuar nga ai për 6 dhjetorin ku do të priten përfaqësues nga BE.

Manja i bëri thirrje opozitës të ndahen sa më parë nga një njeri me politikë të mbrapshtë i cili është besnik i interesave të tij dhe i Rusisë.

“Jemi thirrur sot në një mocion me debat për të ardhmen e Shqipërisë por mesa duket fjalori që përdoret këtu tregon që jemi shumë mbrapa. Në sallën e kuvendit të Shqipërisë, hienat e Komunizmit dhe segmentet e Putinit bllokojnë debatet për integrimin. Në rrafshin personal, nuk jam këtu për t’iu përgjigjur Berishës si Ulsi, se një njeri që brenda ditës ka ndryshuar përgjigjen për baxhanakun në Gërdec se meriton përgjigjen time. Si një njeri që ka marrë në dorë opozitën do i përgjigje. Që Rusia ka pasur dorë ky s’është lajm. Por që janë kaq besnik sa çohen nga krevati për të marrë fjalën ky është lajm.

Se tha këtu, por e tha atje, data e protestës do vendoset brenda dy ditëve. Këtu zbret Evropa tha se populli opozitar është populli Evropës. Më 6 dhjetor mbahet samiti dhe kalorësi i demokracisë do të zbresë popullin opozitar në shesh. Trishtim sesi pas 32 vitesh besohet një njeri non grata i cili ka interesat e veta.

Ndahuni sa më parë e këtij njeriu, ndahuni nga gjuha dhe politika e mbrapshtë e këtij njeriu. Ky vend ja ka parë sherrin komunizmi dhe paska qenë  e shkruar që hienat e komunizmit sërish duan të mbajnë peng integrimin e Shqipërisë. Por kjo s’do ndodhë më.”- tha Manja.  

Ora 11:32
Berisha: Populli e di nëse do i hyjmë veizirit brenda në Kuvend! Këtu do zbresë e gjithë Europa! S'do ndërpritet më beteja për votën e lirë

 

Sapo ka lënë sallën e Kuvendit, Sali Berisha foli para gazetareve duke thënë se nuk respektuan të drejtën për fjalë kur shtypin butonin për çështje procedure, ndaj bllokuan Foltoren dhe u futën Live në Facebook.

Berisha nuk kursen komentin për Lindta Nikollën që i referohet si Linda e Parlamentit. Sipas Berishës, ajo mban në sirtar kërkesat e opozitës se ashtu i thotë Rama. Megjithatë vijoi me zotimin se populli shqiptar do të vijë në Kuvend dhe brenda 2 ditesh do caktojnë protestën e radhës.

“Platformë e sharjes ku kreu i pseudo-mazhorancës lejon vetes të përdorë fjalët më të ulëta, fjalorin më fyes dhe ai jo që nuk ndëshkohet për këtë fjalor por mbështetet nga drejtuesit e parlamentit ndërkohë që deputetë të opozitës që jashtë kamerave i kthejnë përgjigje, përjashtohen nga parlamenti. Nëse deputeti apo përfaqësuesi shtyp butonin për çështje procedure, i jepet fjala. Këtu nuk respektohet ndaj dolëm në foltore. Lavdi Facebook që folëm për qytetarët se nuk donte të flisnim.

Parlamenti është transformuar në një institucion që merren vendime në interes të grupeve kriminale me apo pa pushtet. Ky parlament nuk e Meriton të ekzistojë. Në momentin e caktuar, këtu do vijë populli shqiptar, ashtu sic u zotova më 12 nëntor. Kemi dorëzuar një rezolutë për krimin kundër njerëzimit. Linda e Parlamentit e mban në sirtare se kështu i thotë Edi i Surrelit. Çfarë do thotë Linda e Parlamentit kur Edi i Surrelit na thotë fjalët më të turpshme që mund t’i thojë dikush? Këtu është bërë situatë e padurueshme dhe ne sot u detyruam për mbrojtjen e tyre të komunikoj me Facebook, por kjo do të jetë e zakonshme në Parlament. Edi Rama mund të marrë çdo përgjigje aty, por ne shkojmë me fjalën. Mund t’i mbyllet goja e të mos guxojë të thojë më një fjalë të tillë por ne zgjedhim që fjala të jetë arena e konfrontimit.

A do t’i hymë vezirit brenda? Ato i di populli. Do të japë mesazh. Brenda dy ditëve do të vendoset. Padiskutim do ketë protestë brenda këtij viti. Këtu zbret Europa. Nuk ndërpritet më beteja për votën e lirë. S’na ndalon më asgjë”, tha Berisha.

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?