Rithemelimi: Shqipëria nën regjimin e Edi Ramës e dorëzuar dhe gjunjëzuar nga vjedhja e pushtetit

9 Dhjetor 2022, 16:17| Përditesimi: 9 Dhjetor 2022, 16:23

  • Share

1670508902_finalprojekt.00032109.Still001.jpg

Në ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Floriana Garo, zëdhënëse për mediat e Rithemelimit të Partisë Demokratik ka reaguar, ndërsa akuzon qeverinë e kryeministrit Rama se është gjunjëzuar nga vjedhja e pushtetit.

Sipas Garos, korrupsioni mbetet një shqetësim alarmant, duke u bërë pengesë për përparimin e Shqipërisë dhe integrimin në Bashkimin Europian.

‘9 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit; njëkohësisht dhe fatkeqësisht për Shqipërinë, edhe faktin se shteti është privatizuar nga një klikë politike dhe kapur nga interesa personale korruptive. Partia Demokratike vëren me alarm, mbështetur në raporte ndërkombëtare, se Shqipëria nën Edi Ramën është e dorëzuar dhe gjunjëzuar përballë këtij fenomeni.

Korrupsioni mbetet një shqetësim alarmant, duke u bërë pengesë për përparimin e Shqipërisë dhe integrimin në Bashkimin Europian. Raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili u publikua rreth dy muaj më parë, ishte një “shuplakë” për Shqipërinë.

Raporti theksonte se për të luftuar fenomenin e korrupsionit nuk është treguar vullnet politik. Le të kuptohemi, dhe ta përkthejmë termin “korrupsion” i cili është zbutur dhe vetë-anulluar nga përdorimi i tepërt: Korrupsion janë të gjitha vjedhjet e Edi Ramës dhe ministrave të tij, vjedhjet elefanteske, me djegësat, Portin e Durrësit dhe aferën e Butrintit.  Vjedhjet me rrugët, që ndërtohen me çmim 8 herë më të lartë se në BE;  vjedhjet dhe shpërdorimet në buxhet me mbi 8,2 miliard euro, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë këto vjedhje që e bëjnë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës.

Në vazhdën e vjedhjeve dhe raporteve mbi to, vetëm një ditë para ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, një raport i organizatës satelite te Brukselit “Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim”, na sjell gjetje të reja alarmante.  Sipas këtij raporti të fundit, Shqipëria ka presionin dhe përfshirjen më të lartë në korrupsion në Ballkanin Perëndimor për të gjithë treguesit, si kërkimi i ryshfetit, dhënia, pranueshmëria e korrupsionit, rënia pre e tij dhe madje kapja e shtetit nga bizneset.

Raporti thekon:  “Shqipëria duket të jetë vendi më i prekur nga korrupsioni administrativ i lartë në rajon, ku 57% e qytetarëve u kërkohet ryshfet të paktën herë pas here dhe 47% marrin pjesë në transaksione korrupsioni”.

Për dallim, sipas raportit, Serbia mbetet vendi me nivelin më të ulët të presionit të korrupsionit në rajon, ndërsa Kosova ka nivelin më të ulët të përfshirjes aktuale në aktivitete korrupsioni, me 20% të qytetarëve që kanë paguar rryshfet në krahasim me 23% në Serbi.  Treguesi i presionit për kapjen e shtetit nga bizneset, i cili fokusohet në presionin e monopolizimit në nivel kombëtar, sektorial apo institucional, sheh Shqipërinë me 45%, më të lartin në rajon.

Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, e para në hit-paradën e korrupsionit. Pavarësisht pallavrave se këtu zhvillon samite BE-ja, është po BE me raportet e saj që hedh në erë çdo propagandë.  Me hajdutët ne qeveri dhe qeverinë me duart në xhepat tuaj Shqipëria është në rrezik dhe asaj duhet t’i dalim zot!’- shkruan Garo.


Lajmi kryesor:

KE publikon raportin për Shqipërinë: Hapa pozitive në fushën e migracionit dhe sigurisë! Kujdes me 'pasaportat e arta', rrezikohen vizat


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?