Të premten e 22 gushtit nis edicioni i 87-të i kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, i njohur si Superliga.
Sezoni i ri hapet me përballjen mes dy skuadrave finaliste të “Final 4” të vitit të kaluar (Vllaznia - Egnatia 20:00 në 'Loro Boriçi'), duke sjellë menjëherë emocion dhe rivalitet.
Ky sezon shënon rikthimin e Flamurtarit pas 5 vitesh mungesë. Vlonjatët janë përgatitur me afrime të rëndësishme në merkato dhe investime në stadium, për të qenë gati për një rikthim të fortë në elitë.
Një tjetër risi është debutimi historik i Vorës në Superligë. Pas një sezoni mbresëlënës në Kategorinë e Parë, ku dominoi kampionatin, skuadra kryeqytetase do të provojë veten përballë më të mirëve.
Kampionati i ri pritet të sjellë edhe një garë të fortë për titullin. Kampionët në fuqi të Egnatias, ashtu si edhe rivalët e tjerë, janë përforcuar në merkato për të qenë gati për të arritur objektivat sezonalë.
Ndërkohë, Dinamo vijon rrugëtimin europian në Conference League dhe është shumë pranë një momenti historik për klubin dhe për futbollin shqiptar. Ndeshja e Dinamos me Teutën është shtyrë për muajin që vjen, duke i dhënë mundësi 'Nëndetëses' të fokusohet në CL. Teuta ka pranuar kërkesën e bërë nga drejtuesit e Dinamos dhe ndeshja në fjalë do të luhet më 5 shtator në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”, në Durrës*.
SKEMA - Ndryshe nga dy sezonet e fundit kur 'Final 4' ishte me gjysmëfinale dhe finale, këtë sezon pas 36 javëve të rregullta, katër skuadrat që do renditen të parat do vijojnë garën në 'Final 4' me përgjysmim pikësh dhe garë të rregullt me mbledhje pikësh, nga ku do mësohet edhe fituesi i sezonit.
Superliga, raundi i parë:
E premte, 22 gusht
20:00 Vllaznia - Egnatia
E shtunë, 23 gusht
17:00 Bylis - Tirana
20:00 AF Elbasani - Flamurtari
E diel, 24 gusht - 20:00
Partizani - Vora
* 5 shtator/ Teuta - Dinamo (e shtyrë pasi Dinamo luan në Conference League)
Java e parë e Superligës nuk do luhet e plotë, kjo pasi Dinamo merr pjesë në Conference League. Ndeshja e tyre kundër Teutës do luhet muajin që vjen. Teuta ka pranuar kërkesën e bërë nga drejtuesit e Dinamos dhe ndeshja në fjalë do të zhvillohet më 5 shtator në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”, në Durrës.
Komente
