Me mbylljen e legjislaturës së 10-të parlamentare, mes disa dhjetëra iniciativa ligjore që mbetën ‘punë të nisura në mes’ u arkivua në Kuvend edhe nisma e deputetes Blerina Gjylameti për rivlerësimin e pronave të paluajtshme.
Projektligji ngeci në komisione derisa të ishin gati referencat e reja të pronave për të gjithë vendin, ndërsa me humbjen e mandatit të Gjylametit më 11-maj nisma digjet dhe i mbetet në dorë qeverisë ose opozitës nëse do ta rikthejnë atë në Kuvend.
“Mungesa e rivlerësimit e dëmtoi dhe vazhdon ta dëmtojnë. Ne kemi çmimet e referencës që kanë ndryshuar, kanë ndryshuar goxha edhe çmimet e tregut kanë ndryshuar dhe qytetarët janë të prekur”, thotë eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu.
Një tjetër fushatë rivlerësimi që do të ishte i pesti në 14 vite, sipas ekspertëve të tregut të pronave është domosdoshmëri në kushtet kur qeveria po bëhet gati që prej vitit të ardhshëm pronat në vend me përjashtim të Tiranës (referencat u miratuan në 2023), të kenë referencat e reja.
“Me çmimet e reja të referencës është akoma më shumë domosdoshmëri për tu bërë një proces. Ideale është të ndryshojë vlera e taksimit. Të mos jetë 15%, se dhe duke bërë fushata rivlerësimi çdo 2-3 vite apo 5 vite nuk është zgjidhje”, pohon eksperti.
Nga veriu në jug çmimet referuese të pronave pritet të rriten deri në 100%.
“Referencat e reja do të ndikojnë në rritjen e çmimeve, sepse çdo taksë që i shtohet shitësit do të jetë një barrë për blerësin. Do të reflektohet në çmim patjetër. Referenca është pak a shumë si indeksim çmimi, duhet të bëhet gjithmonë, problemi është që ka shumë vite që nuk janë bërë dhe hendeku i krijuar është shumë i madh”, pohon eksperti.
Referencat e reja nën të cilat nuk mund të shiten pronat pritet të përfshijnë të gjitha bashkitë e vendit, por shtrenjtimi më i madh do të jetë përgjatë vijës bregdetare, dhe në zonat më turistike të vendit. Sipas përllogaritjeve aktuale të grupit të punës vlera e pronës do të rritet me mesatarisht 22% në Berat, 52% në Kavajë, 61% në Durrës, 86% në Sarandë, 88% në Vlorë e deri më 110% në Himarë.
Komente
