Rivlerësimi i pronave shtyhet deri në prill 2022! Vjero: Nga 64 mijë aplikime, vetëm 47% janë rivlerësuar

19 Janar 2022, 18:37| Përditesimi: 19 Janar 2022, 18:45

  • Share

Të gjitha bizneset dhe individët që duan të rivlerësojnë pronat e tyre kanë afat deri në 30 prill për të aplikuar. Afatet po shtyhen për herë të tretë për shkak të pandemisë, ndërsa janë bërë në total 64 mijë aplikime, por 47% e rivlerësimeve ende nuk janë paguar.

Ministria e Financave shpjegoi në Komisionin e Ligjeve se për aplikimet që ende nuk janë përfunduar së rivlerësuari deri në prill, dosja do të mbyllet deri në 31 korrik, nëse bëhet pagesa.

“Ky akt normativ vjen si kërkesë e Kadastrës për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Tërmeti e pandemia ka bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të mos përfitojnë. Ka një numër të konsiderueshëm aplikimesh, janë 64 mijë aplikimeve dhe 34 mijë kanë kryer pagesat ndërsa rreth 30 mijë nuk kanë aplikuar. Për ato kërkesa që janë depozituar brenda datës 30 prill, dhe janë komplekse dhe kanë një afat të zgjatur për ti shqyrtuar, afati të zgjatet deri në fund të muajit qershor, me kushtin që individët dhe bizneset të kryejnë pagesën”, tha zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjerro.

Ndërsa opozita në komision ngriti shqetësimin për banesat që po shemben tek zona e 5 Majit në Tiranë.

“Ata shtyheshin, zhgarraviteshin dhe dhunoheshin nga forcat e policisë atje. Ata ishin dakord që prona të zhvillohej, por kërkonin që të bënin një marrëveshje që të dinin se ku do të strehoheshin, pasi atyre nuk ju është përcaktuar ku do e kenë shtëpinë, sipërfaqen apo kohën kur do e marrim”, tha deputeti i opozitës Bledion Nallbati.

“Të mos kalohet vetëm me një fjali që kemi kërkuar informacione por t’i bëjmë thirrje në mënyrë të përbashkët, pa marrë meritën njëra apo tjetra palë, të gjithë bashkë t’i bëjmë thirrje institucioneve të ndërpresin procedurat, policia të tërhiqet, inspektorati i territorit të tërhiqet, të bëjmë seancë dëgjimore me banorët dhe bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për qytetarët", tha Bardhi. 

Pavarësisht debateve, Akti normativ për zgjatjen e afatit me 4 muaj për rivlerësimet u miratua në Komisioni i Ligjeve me 11 vota pro dhe 7 kundër.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?