Rivlerësimi i pronave ende nuk ka arritur në shifrat e parashikuara nga Kadastra Shqiptare dhe shkak për këtë është pandemia COVID-19, e cila në tre muaj të vitit 2020 thuajse e stopoi këtë proces. Sipas të dhënave të Kadastrës deri më tani janë bërë në total 35,054 rivlerësime pronash, nga të cilat ende janë pa u paguar nga qytetarët 12,258 rivlerësime pronash.
Ndërkohë në total sipas të dhënave kanë aplikuar për këtë proces 38,125 qytetar, dhe janë në proces duke u punuar edhe 3,071 dosje, për të vendos më pas nëse janë për tu rivlerësuar apo kanë probleme. Ligji për rivlerësimin e pronave ju jep të drejtën 50 mijë qytetarëve që ta kryejnë këtë proces, nëpërmjet të cilit afrojnë çmimin e pronës së tyre me vlerën e tregut.
Ata që bëjnë rivlerësimin do të paguajnë tatimin në vlerën e 3% të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë, nga 15% që është normalisht. Ndërsa për rivlerësimin e biznesit tatimi është 5%.
Qytetarët nga rivlerësimi përfitojnë në momentin e shitjes së pronës, pasi nëse një banesë është blerë 100 mijë euro dhe pronari do e shiste për 120 mijë euro ai do të paguante 15% tatim për diferencën prej 20 mijë eurosh, që është 3 mijë euro.
Ndërsa tanimë qytetari paguan 3% tatim ose 600 euro për rivlerësimin e pronës dhe kur e shet nuk paguan më tatim. Afati zyrtar për të kryer këtë proces përfundon në 30 shtator 2021 dhe në buxhet është parashikuar të arkëtohen 6 miliardë lekë.
Ky është rivlerësimi i tretë që po bëhet dhe ka regjistruar edhe interesin më të ulët nga qytetarët, pasi në vitin 2011-2013 u rivlerësuan 95 mijë banesa ndërsa ligji më i fundit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i ngjashëm me të tanishmin, ka qenë në fuqi për një periudhë të kufizuar nga 20 gushti 2016 deri më 31 maj 2017, për 63 mijë pasuri. Në rivlerësimet e para tatimi ka qenë më i ulët, dhe sipas vlerësuesve të pasurive tatimi 3-5% është pengesë për të pasur një fluks më të madh.