Portugalia dhe Suedia luajnë sot më 20:45 një test miqësor në Guimaraes. Për këtë duel trajneri Roberto Martinez ka lënë jashtë yjet e ekipit, mes të cilëve edhe Cristiano Ronaldon.
Pritet që portugezët të kenë në fushë emra të rinj, sidomos ata që shihen si e ardhmja e ekipit. Kështu, Portugalia po i hap rrugë një brezi të ri dhe nuk ka dashur të ngarkojë yjet e saj me këtë test miqësor, që vjen në datat e lira të FIFA-s.
"Mendojnë se lojtarët meritojnë pak më shumë pushim, pasi sezoni ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm. Por ky është një shans për të gjithë të tjerët. Pres një test pozitiv kundër Suedisë”, tha ai.
Emrat e rëndësishëm që janë lënë pushim pas Ronaldos janë edhe Felix, Cancelo, Dalot, Perreira, Neves etj. Në këtë duel do e ketë mendjen edhe Sylvinho, trajneri i kombëtares kuqezi, pasi Shqipëria më 25 mars luan kundër suedezëve një miqësore në Stockholm.