Artur Zheji

Opinion

Roland Bejko: Pengu për udhëtimin që nuk u bë kurrë me Artur Zhejin! Harruam që na dëgjonte 'vejusha e zezë'

25 Gusht, 11:33| Përditesimi: 25 Gusht, 11:35

  • Share

U bënë tashmë disa miqtë dhe të njohurit e mi me të cilët kemi bërë plane, por që nuk ka qenë e thënë t’i realizonim në këtë jetë për arsyen e thjeshtë se ne harrojmë që mortjen e kemi gjithmonë pranë vetes në çdo sekondë që kalon.

Ajo na dëgjon çdo bisedë, na zbulon çdo dëshirë, çdo ëndër, dhe qesh me ne me ironi me sigurinë tonë për gjithçka që planifikojmë, e si cinike që është na pyet, po mirë, mua më keni marrë gjë leje për planet që bëni mor bukuroshë?!

Kjo më ka ndodhur me të ndjerët Miftar Gjana, Arben Bajo, Nebil Çika, dhe së fundmi me Artur Zhejin. Turi e kishte fiksim një tur në fshatin e të parëve të tij. Verën e kaluar më tha se do donte shumë të shkonte njëherë në Zhej të Zagorisë. Kur të duash, i thash, kur të të bëhet mbarë, më thuaj disa ditë para dhe shkojmë. Por, nuk shkuam dot. Nuk e di pse.

Në maj ishin zgjedhjet. Pasi mbaruam një emision me debate politike, në kafe ma kujtoi prapë. Nuk e bëmë atë turin e Jugut në Zhej, tha. Kur do shkojmë? Mbarojnë zgjedhjet dhe ikim, po të duash shkojmë edhe në Sopik, fshati i Branko Merxhanit, i them, është zonë shumë e bukur, dhe nuk janë larg prej njëri-tjetrit.

Takimi i fundit ishte disa ditë më parë te sheshi pranë Universitetit të Arteve. Zbriti nga makina me çunin e vet.

Gjatë gushtit jam i lirë, i thashë, cakto një ditë dhe shkojmë ta bëjmë atë turin jugor. Aha, tha, druaj se nuk do shkojmë dot as këtë radhë. Nuk e kam për mbarë.

M’u duk i lodhur. Në fytyrë pak më i zbehtë se zakonisht. Nuk e pyeta për shëndetin. Por më ngeli në mendje se atë ngjyrë lëkure e kisha dalluar ca ditë më parë se të ndërronte jetë edhe te Nebil Çika. Më vjen keq tha, se nuk kam qenë kurrë në Zhej, po jam shumë kurioz ta shikoja njëherë. Ndoshta nga vjeshta, zbutet dhe koha, tani është vapë, bëhemi një grup miqsh dhe ikim. Duhet të jetë këndshëm apo jo?

Ka një natyrë dhe njerëz të mrekullueshëm, ata pak që kanë mbetur aty, i thashë. Përgjithësisht fshatrat janë bosh. Por tek-tuk gjen ndonjë njeri. Kur të shkojmë do ta shikosh që koha duket sikur ka ngecur në kohën e Çajupit.

Hahaha, po më intrigon dhe më motivon edhe më shumë. Atëherë në shtator-tetor, do shkojmë patjetër, dhe në kthim një xhiro te rrapi në Libohovë, në mbyllje kafen do ta pimë në Lazarat, darkën në Gjirokastër.

U tha, u bë, i thashë.

U përshëndetëm dhe u ndamë, për të mos u parë më kurrë në gjallje, duke i uruar njëri-tjetrit pushime të mira.

U tha, por nuk u bë dhe nuk ka për t’u bërë. Jo në këtë jetë. Mbase në tjetrën nëse ka një të tillë. Se të dy harruam që aty pranë nesh na dëgjonte e padukshme ajo “vejusha e zezë” siç e quante ai, zonja vdekje.

Dje, ajo vendosi që ta merrte përjetësisht me vete Tur Zhejin e mirë. RIP Artur Zheji, u prehsh në paqe vëlla! Ngushëllime familjes!

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?