Opinion

Roland Qafoku: Çdo gazetar një emision! Ku po shkon media jonë?

10 Nëntor 2021, 11:15| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 11:23

  • Share

Pas 28 vjetësh, jo 28 muaj, për të mos thënë pas 28 ditësh siç ndodh ne median shqiptare. Ikona e NBC News, Brian Williams, ka njoftuar dje largimin nga ekrani. Bilanci: 28 vjet në të njëjtën punë, ka raportuar nga 38 shtete, ka ndjekur 8 lojra olimpike, ka raportuar në 7 zgjedhje presidenciale, ka intervistuar të 7 presidentët dhe ka raportuar edhe nga zonat e luftës.

Por ka bërë edhe gabime. E kanë pezulluar edhe nga puna për një lajm të pasaktë. Ama bilanci i tij përmbys çdo gabim, se punën e mirë e ka me shumicë dhe punën me gabime e ka me pakicë. Por sa ndryshim ka historia e Williams me ne këtu, në median tonë, ku gazetarët lëvizin çdo gjashtë muaj pa e “ngrohur” mirë vendin e punës, ku me disa përjashtime spikerat nuk mbahen mend se për cilin ekran punojnë, aq shumë i kanë ndryshuar. Sa për bilancin, të paktë janë ata që vërtetë kanë bilanc profesional. Shumica e atyre që kanë pushtuar ekranin për bilanc nuk kanë se nga cilat vende kanë raportuar, cilat ngjarje të rëndësishme kanë mbuluar dhe ndjekur, sa presidentë dhe kryeministra kanë intervistuar, por vetëm numrin e daljeve në ekran duke dhënë lajme. Fatkeqësia më e madhe është se për një pjesë e atyre që dalin në ekran e rëndësishme është nëse drejtojnë apo jo një emision. U mjafton ta “kapin” me forma nga më të ndryshme dhe për ta kjo është arritja e madhe, maja e karrierës, kulmi i suksesit në jetë. Vetë jeta, më mirë.

Rendja pas këtij trendi është kthyer në mani, sa sot mund të them se media shqiptare ka inflacion emisionesh dhe kjo ka sjellë një sërë pasojash, më e rënda humbja e reporterit. Gazetarë me statusin e reporterit ka gjithnjë e më pak. Gati-gati të qenit reporter duket sikur ka një cen. Dhe këtu nis ajo tjetra, më e rënda. Sapo një reporter politike, kronike etij spikat, ëndrra e parë e tij është të jetë i ftuar në emision. Ëndrra e dytë të bëj vetë një emision dhe për ky është suksesi i gjithë karrierës. Dhe ëndrra e tretë të ftojë në emision ata që ftohen nga të gjithë. Në 10 vitet e fundit kam shquar jo pak gazetarë të rinj të talentuar që kanë spikatur në disa sektorë si politikë, kronikë të zezë dhë për çështjet sociale. E kam parë si anën më pozitive të medias tonë kur djem dhe vajza të rinj, me paraqitje dhe artikulim shumë të mirë arrinin të linin prapa çdo “profesor” të ekranit. Por sa jam trishtuar kur ende pa arritur atë maturimin e madh i shikoj të sforcohen për të qenë drejtues i një emisioni.

Dhe një pjesë ia kanë arritur. Kanë lënë terrenin dhe tani zbukurojnë studiot me poza dhe sekuenca filmike që më pas ngjyrosin edhe facebook-un, instagramin, ndërsa stories gëlojnë 3 sekondshat që tregojnë ndryshimet në look dhe veshje. Nuk e kam kuptuar kurrë këtë mani. Oriana Falaci kurrë nuk do ishte bërë e famshme nëse nuk do kishte shkuar në çdo shtet të botës për të raportuar per “Corriere Della Sera” se si jetonte gruaja në ato vende. Christiane Amanpour, nuk do ishte bërë e famshme nëse nuk do kishte raportuar për CNN nga çdo vend në konflikt duke përfshirë edhe Shqipërinë e viti 1997 dhe shtëpia e vajzës me origjinë nga Irani sot më shumë i ngjan një muzeu sepse nga një objekt nga çdo vend nga ky ka raportuar.

Hala Gorani nuk do ishte bërë kurrë ikonë e lajmeve ndërkombëtare nëse vajza me orgjinë nga Siria nuk do kishte raportuar nga zonat e luftës veçanërisht në Lindjen e Mesme e deri në Haiti me pasojat e tërmetit në në 2010. Por edhe në median shqiptare ka jo pak shembuj kur vajza dhe djem janë bërë të famshëm sepse kanë raportuar nga terreni dhe jo nga ekrani. Nuk mund të harrojmë guximin dhe profesionalizmin e Rudina Xhungës, Mimoza Dervishit, Zamir Dule, Bardhok Lala që rrezikuan jetën për të informuar publikun. 

Prandaj, modestisht, dua t’ju bëj një thirrje miqësore. Ruani vlerat tuaja për atë që ju jepni më shumë, lajmi, lajmi, lajmi; raportimi, raportimi, raportimi. Vërtetë fama është magnet, por bëni më shumë punë se sa të kujdeseni për famën. Askush nuk është bërë i famshëm në gazetari sepse është kujdesur të dalë në ekran, por është bërë gazetar i rëndësishëm për raportimet që ka bërë, për lajmet dhe investigimet që ka guxuar ti publikojë. Raportoni dhe mbuloni ngjarjet e mëdha. Dyshoni dhe investigoni për çdo gjë. Intervistoni presidentë, kryeministra, ministra dhe njerëz të thjeshtë të lidhur me ngjarje të mëdha. Mos rreshtni së pyeturi se kjo është A-ja e punës sonë. Ky është profesioni ynë. Pikërisht puna e reporterit dhe mbulimi i ngjarjeve të mëdha nuk ka të krahasuar me drejtimin e një emisioni. Sigurisht që edhe drejtimi i një emisioni ka vlerën e vet. Por dreqi të hajë, për të qenë gazetar i vërtetë me statusin drejtues emisioni, duhet të kesh kaluar më parë nëpër këto shtigje dhe më pas të synojë një emison.

Këtu nuk e kam fjalën për ata që vetëshpallen gazetarë që nuk kanë lidhje me gazetarinë, që nuk kanë punuar qoftë një ditë vetme reporter dhe nuk e njohin fare jetën e newsroom-it por që drejtojnë emisione. Ata janë thjesht kalimtarë në fushën tonë dhe afërmendsh sapo tu dalë diçka më e mirë, do ta lënë emisionin dhe një ditë nuk do jenë fare në memorien e medias. Personalisht nuk e barazoj me qindra puntata emisioni faktin që në karrierën time kam intervistuar rrethanat nga më të ndryshmet të 9 kryeministrat dhe të 7-të presidentët e pas vitit 1990. Nuk i ndërroj me qindra puntata emisioni raportimet ngjarjet e vitit 1997, ngjarjen e 14 shtatorit 1998, zgjedhjet e para në Kosovën në 1999, e sa e sa ngjarje, investigime e reportazhe.

Nuk e ndërroj me qindra puntata emisioni me raportimet nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale që nga viti 1997 e këtej. Pikërisht kjo përvojë më ndihmon shumë në emisionin që drejtoj. Se, shpeshherë është mirë që secili prej nesh të bëjë një bilanc si gazetar për ato ngjarje që kemi mbuluar dhe personazhe që kemi intervistuar dhe jo sa herë ke dalë në ekran. Brian Williams nuk është një leksion falas vetëm për gazetarinë amerikane, por edhe për ne. Pension të mbarë Williams!

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 11/11/2021 10:02

    Urime Roland! Mendim me vlere per te gjithe gazetaret e "rinj" qe sinqerisht dine vetem te pergatisin ca pyetje... dhe vete nuk kane asnje informacion dhe kulture ne lidhje me pyetjet qe bejne.

    Përgjigju
  • Gjergj: 11/11/2021 03:40

    Zoti Roland këtu po flisni për prostitusionin legjitem e kërkush nuk mund të arrestohet

    Përgjigju
  • Gazmend: 10/11/2021 12:04

    Kjo eshte demokracia anarkia edhe ne media, te gjithe duan te duken te komandojn, te shesin mend edhe kur nuk jan profesionist ne zanat, jetojm ne kohe narcizismi feudal ku aparenza pa vlera eshte primare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?