Violina, partitura, pasaporta e libra

Roland Qafoku: Pulovra e larë me gjak e Qemal Stafës dhe idealizmi i rinisë

5 Maj 2023, 10:36| Përditesimi: 5 Maj 2023, 10:39

  • Share

Si sot 81 vjet më parë, në Tiranë u vra Qemal Stafa. Ishte vetëm 22 vjeç, 1 muaj e 15 ditë atë 5 maj të vitit 1942 kur u ekzekutua në afërsi të një banesë pranë Medresesë. Këto janë sendet personale që ai kishte ditën që u vra.

Nuk po merrem në këtë staus me detajet e ngjarjes, inskenimet, kurthi dhe dëshmitë e të pranishmëve, të cilat i kam trajtuar me hollësi në librin tim “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”. Ajo që më ka bërë përherë përshtypje ishte idealizmit ekstrem i këtij djaloshi.

Ne të brezit që jetojmë në vitet 2000 nuk na e rrek mendja se si Qemal Stafa dhe shumë të rinj si ai lanë studimet në Itali për t’i bërë rezistencë fashizmit në Shqipëri.

Ne të brezit sot nuk na e rrek fare mendja se si një djalosh i ri, krahas violinës dhe Mazonit mbante në brez pistoletën Smith.

Krahas erudicionit të madh që zotëronte të kishte edhe literaturë komuniste. Duhet ta themi që Qemal Stafa ishte i majtë si shumë nga ai që dalldisën në Evropën e asaj kohe, por unë pak e besoj se ai ishte komunist tipik si shqiptarët i njohëm komunistët pas vitit 1944. Unë nuk besoj se idealizmi i Qemal Stafës ishte komunizmi që ndërtoi Enver Hoxha dhe që nëpërmjet tij i bëri gjëmën Shqipërisë për 45 vjet.

Por, ama unë besoj që Qemal Stafa ishte produkti më i mirë i një plejade të tërë idealistësh që sakrifikuan rininë e tyre për të luftuar fashizmin. Me libra dhe me armë, me poezi dhe granata dhe këta djem dhe vajza nuk ishin me dhjetra e me qindra, por me mijra. Sot duket si një frazë e shkruar dhe e thënë lehtë, por ata djem dhe vajza e bënë me vepra këtë. Shumica e atyre që u vranë nuk ishin më shumë se mosha e Qemal Stafës.

Prandaj nga e gjithë ajo histori, pulovra e larë me gjak e Qemal Stafës mbetet simboli i sakrificës së një brezi të tërë të rinjsh që e nisën atë luftë për patriotizëm, por që Hoxha ua konvertoi në një komunizëm të pështirë dhe gjakatar. Por ama ne kurrë nuk duhet ta përdhosim këtë sakrificë dhe këtë gjak të derdhur.

Ai duhet të na bëjë vetëm krenarë dhe të vetëdijshëm se që nga Vasil Laçi e deri te Margarita Tutulani, ishin një aradhë e tërë të rinjsh që vunë Shqipërinë përpara jetës së tyre. Gjaku në pulovrën e Qemal Stafës është certifikata e asaj që bëri ai brez. Nderim për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë!

Skica e punuar nga Gjergj Diko

Foto e pasaportës së Qemal Stafës

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hasani: 05/05/2023 12:13

    Qema Stafa u vra ne 5 Maj 1942 dhe u rivra perseri kur i hoqen emrin stadiumit .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?