Një histori vizuale e diktaturës komuniste, një udhëtim brenda një regjimi, që e bëri kinemanë instrument të pushtetit. “Film di Stato” i regjisorit Roland Sejko rrëfen dyzet vite të regjimit komunist të Shqipërisë përmes imazheve që prodhoi pushteti për të treguar historinë e tij, që nga viti 1944 e deri në 1985, viti i vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.
Dokumentari do të ketë premierën botërore në “Notti Veneziane”, një seksion i organizuar nga Giornate degli Autori në edicionin e 82-të të Festivalit të Venecias.
Një produksion i Luce-Cinecittà, filmi prezanton një vend dhe një kohë të ndërthurur me jetën dhe emrin e një njeriu të vetëm: udhëheqësit të regjimit, Enver Hoxha!
“Film di Stato na lejon të shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë këtë periudhë historike me ritualet, pritjet, fjalimet dhe fjalët e pathëna; turmat dhe vetminë, ngjarjet e mëdha dhe hapësirat e pritjes. Përmes një gërmimi të fuqishëm të imazheve, disa prej të cilave të papara më parë, të prodhuara nga vetë regjimi dhe me një punë rigoroze dhe krijuese në montazh dhe zë, filmi i Sejkos ofron një “kolonë zanore të pushtetit”, duke treguar jo vetëm shëmbëlltyrën epokale të një autokracie, por edhe një imazh të përgjithshëm të pushtetit, verbërinë e të cilit na bën të shohim.”, - shkruhet në shtypin italian në lidhje me filmin e ri të Sejkos, ndërsa vërehet se me këtë vepër të re arkivore, Sejko konfirmon pozicionin e tij si një nga regjisorët më të mirë të Italisë në transformimin e materialit arkivor në poema vizuale.
Ky film eksploron se si pushteti e sheh veten dhe si mund ta shohësh pushtetin. Ai zbulon se si kinemaja, nga një mjet përfaqësimi dhe glorifikimi, mund të bëhet në heshtje, forma më vdekjeprurëse e vetëdenoncimit.
Filmi është ndërtuar tërësisht nga materiale arkivore: filma zyrtarë propagandistikë, pamje nga arkivat e klasifikuara ose private të nomenklaturës dhe kërkon përmes montazhit, zërit dhe ritmit, të ndërtojë një rrëfim të ndryshëm nga ai që ato imazhe kishin për qëllim të impononin.
Komente
