Mafia shqiptare në Ekuador

Bota

Roli i bandave në Ekuador/ Dëshmitë e forta në artikullin investigues: Mafia shqiptare dërgonte 500 kg drogë, nëse nuk pranoje, të vrisnin

9 Prill, 15:17| Përditesimi: 9 Prill, 15:27

  • Share

Në vitet e fundit, mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador, duke përfituar nga rrugët strategjike të trafikut të drogës. Edhe pse Ekuadori nuk prodhon kokainë, presidenti i vendit, Daniel Noboa, deklaron se 70% e kokainës së botës kalon përmes porteve ekuadoriane. Droga trafikohet nga Kolumbia dhe Peruja dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë dhe më pas niset drejt Europës.

"Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: 'Duam të dërgojmë 500 kg drogë.' Nëse nuk pranoje, të vrisnin."

Kështu rrëfen "César" (emër i ndryshuar), një anëtar i bandës kriminale "Latin Kings" në Ekuador, i cili u rekrutua nga një oficer policie i korruptuar për të punuar për mafian shqiptare një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut të kokainës në Europë.Trafiku i drogës ka shkaktuar pasoja të rënda. Vetëm në janar 2025 u regjistruan 781 vrasje, duke e bërë muajin më të përgjakshëm në vitet e fundit. Shumica e këtyre vrasjeve lidhen drejtpërdrejt me tregtinë ilegale të drogës.

Si Funksionon Trafiku i Drogës?

César, 36 vjeç, nisi të bashkëpunonte me kartelet që në moshën 14-vjeçare, pasi nuk kishte mundësi të tjera punësimi. Ai ka pasur rol kyç në këtë rrjet:

Korruptonte punonjësit e porteve, shoferët e kamionëve dhe mbikëqyrësit e kamerave të sigurisë për të lehtësuar kalimin e drogës.

Kokaina fshihet në magazina derisa mafiozët shqiptarë të identifikojnë një kontenier transporti që do të niset për Europë.

Trafikantët përdorin tre metoda kryesore për të kontrabanduar drogën:

"E fshehin brenda ngarkesës përpara se të arrijë në port. Thyejnë kontenierët në port dhe futin drogën.Ngjisin paketat me drogë në anije gjatë lundrimit."-thuhet në dëshmi. 

César fitonte deri në 3,000 dollarë për një punë të tillë, por thotë se nuk kishte zgjedhje: "Nëse nuk e bën atë që kërkojnë shqiptarët, të vrasin."

Shoferët e Kamionëve: Viktima të Trafikut

Jo vetëm kriminelët janë të përfshirë në këtë zinxhir kriminal. Shoferët e kamionëve shpesh bëhen pjesë e trafikut pa dijeninë e tyre ose nën kërcënim.

"Juan" (emër i ndryshuar), një shofer kamioni, tregon sesi një ditë u detyrua të transportonte një ngarkesë me ton peshku që i dukej e dyshimtë. Dy muaj më vonë, ai pa në lajme se kontejnerët e tij ishin kapur në Amsterdam plot me drogë.

Disa shoferë nuk e kuptojnë se po transportojnë drogë, ndërsa të tjerët kërcënohen: "Nëse refuzon, të vrasin."

Mafia Shqiptare dhe Eksportet e Bananeve

Një nga mënyrat më të përdorura për të maskuar drogën është eksporti i frutave. Sipas ekspertit të industrisë së bananeve, José Antonio Hidalgo:

66% e kontenierëve që largohen nga Ekuadori janë të mbushur me banane.

29.81% e tyre shkojnë në Bashkimin Europian, ku konsumi i kokainës është në rritje.

Mafia shqiptare ka krijuar kompani të rreme import-eksporti, duke përdorur tregtinë e bananeve si mbulesë për trafikun e kokainës. Një shembull i njohur është Dritan Gjika, një nga drejtuesit më të fuqishëm të mafias shqiptare në Ekuador. Ai përdorte kompani të regjistruara në Ekuador dhe Europë për të trafikuar drogën, por aktualisht është në arrati.

"Gjatë asaj periudhe, eksportet e bananeve drejt Shqipërisë u rritën ndjeshëm," thotë avokatja Monica Luzárraga, duke kritikuar autoritetet që nuk e kuptuan më herët se diçka nuk shkonte.

Shtimi i Trafikut dhe Pasojat

Autoritetet ekuadoriane përpiqen të frenojnë trafikun e drogës në disa nivele. Në rastin e parë policia skanon kutitë me banane për të gjetur kokainë. Më tej anijet patrullojnë ujërat ndërkombëtare për të ndaluar kontrabandistët dhe zhytësit e policisë kontrollojnë pjesën e poshtme të anijeve, ku shpesh fshihet drogë.

Megjithatë, trafiku i kokainës po rritet. Në vitin 2024, autoritetet ekuadoriane sekuestruan 300 tonë drogë – një rekord i ri vjetor. 30% e kësaj droge kishte si destinacion Europën.

Shoferi i kamionëve, "Juan", thotë se situata po bëhet më e rrezikshme: "Më parë flitej për kilogramë kokainë, tani flasim për tonelata."

Lidhja me Europën: Konsumi i Lartë po Ushqen Trafikun

Ekspertët theksojnë se problemi nuk është vetëm në Ekuador, por edhe në vendet ku konsumohet droga.

“OKB raporton se konsumi global i kokainës ka arritur nivele rekord. Britania e Madhe është vendi me normën e dytë më të lartë të përdorimit të kokainës në botë. Në 2024, autoritetet britanike sekuestruan 232 tonë kokainë – më shumë se në vitin 2023.Konsumi i kokainës në Britani u rrit me 7% nga 2023 në 2024.”

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar (NCA), tregu i kokainës atje vlen rreth 11 miliardë paund në vit, dhe grupet kriminale përfitojnë 4 miliardë paund në vit vetëm në Britani.

Mesazhi nga Ekuadori për Europën

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, e ka vendosur luftën kundër krimit të organizuar si prioritetin e tij kryesor. Ai ka urdhëruar përdorimin e ushtrisë për të luftuar bandat kriminale dhe po kërkon mbështetje ndërkombëtare.

Mesazhi i tij për Europën është i qartë:

"Zinxhiri që përfundon me 'argëtimin' e dikujt në Britani, në fakt, sjell dhunë dhe vrasje në Ekuador."

Nëse nuk ndalet kërkesa për kokainë, trafikimi i saj do të vazhdojë dhe me të, dhuna dhe krimi./ BBC

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?