Mbrojtësi i Romës dhe i Kombëtares, Marash Kumbulla mund të kthehet në Spanjë. Sipas Sky Sport, mundësia është që nga sezoni i ri ai të ribashkohet me Espanyol, klubin ku ai luajti sezonin e kaluar si i huazuar. Mbrojtësi i lindur në vitin 2000 ka lënë shije të mirë në Katalonjë dhe Roma nuk e ka kundërshtuar transferimin e tij. Mbrojtësi ka qenë i hapur ndaj kësaj mundësie dhe i ka dhënë përparësi opsionit iberik.
Një muaj më parë, drejtori sportiv i klubit spanjoll, Fran Garagarza foli për të ardhmen e Kumbullës.
"Marashi na ka dhënë shumë dhe është me vlerë të madhe si nga perspektiva futbollistike ashtu edhe nga ajo njerëzore. Kthimi i tij nuk është i realizueshëm për momentin. Ndoshta pas disa javësh mund të jetë, ose ndoshta jo, por tani për tani nuk është. Jemi të mbuluar në mbrojtje; kemi katër mbrojtës qendrorë dhe një opsion tjetër. Burimet tona do të përqendrohen në pozicione të tjera, më të ekspozuara."
Një derë që nuk është mbyllur kurrë dhe për këtë arsye ende ka mundësinë të hapet plotësisht. Diskutimet kanë filluar tashmë dhe lojtari thuhet se nuk ka problem të arrijë një marrëveshje. Tani mbetet për t'u parë nëse Espanyol do të shtyjë përpara dhe do ta bëjë transferimin apo do të vendosë të vonojë, duke pritur kushte më të favorshme se ato aktuale.
Kumbulla ka kontratë me Romën deri në verën e 2027 dhe sërish një huazim do ishte një mundësi që nuk do i thuhej "jo". Duket se mbrojtësi i Kombëtares nuk e ka bindur trajnerin Gasperini dhe po kërkon një tjetër ekip ku të vijojë karrierën.
Komente
